Keir Starmer nisi të mërkurën një vizitë në Kinë, e para nga një kryeministër britanik që nga vitit 2018. Lideri britanik kërkon që të forcojë lidhjet politike dhe të biznesit me Pekinin, ndërsa marrëdhëniet midis vendeve perëndimore dhe SHBA-së bëhen më të paqëndrueshme.
Starmer, qasja e të cilit ndaj Kinës është kritikuar nga disa politikanë britanikë dhe amerikanë, tha se Britania duhet të mbetet vigjilente ndaj kërcënimeve të mundshme të sigurisë, por se nuk mund të injorojë mundësitë e paraqitura nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.
“Nuk ka kuptim të fusim kokën në tokë dhe ta varrosim në rërë kur bëhet fjalë për Kinën, është në interesin tonë të angazhohemi. Do të jetë një udhëtim vërtet i rëndësishëm për ne dhe do të bëjmë përparim të vërtetë.”, tha më herët ai.
I shoqëruar me një delegacion prej më shumë se 50 liderësh biznesi, Starmer do të takohet me Presidentin Xi Jinping dhe Kryeministrin Li Qiang të enjten përpara se të udhëtojë për në Shangai të premten për bisedime me drejtuesit vendas.
Vizita mund të shënojë një ndryshim kritik në lidhjet midis Britanisë dhe Kinës pas viteve të tëra të acarimit të thellë mbi shtypjen e lirive politike nga Pekini në Hong Kong, mbështetjen e Kinës për Rusinë në luftën e Ukrainës dhe akuzat nga shërbimet britanike të sigurisë se Kina spiunon rregullisht politikanë dhe zyrtarë.
Për Kinën, vizita i ofron vendit një shans për ta portretizuar veten si një partner të qëndrueshëm dhe të besueshëm në një kohë kaosi global.
© Panorama.al












