
Prokuroria gjen parakontratën e dy trashëgimtareve me një avokat në Durrës, hetime për shitjen nën vlerë
Çmimi i pronës së kthyer nga 5 zyrtarët e arrestuar, 137 lekë/m2
Sipërfaqja e plazhit prej 48 hektarësh në bregdetin e Kavajës, për të cilën u arrestuan 5 zyrtarë të pro-nave, do të “falej”. Prokuroria e Tiranës ka ndërhyrë pikërisht në kohën kur toka e kthyer pronarëve në mënyrë të padrejtë do të shitej sipas një parakontrate, kundrejt një çmimi prej 137 lekësh të vjetër për metër katror. Çmimi është justifikuar në parakontratë, sipas Prokurorisë me referencat zyrtare, mirëpo vlera reale e tokës në zonën në fjalë është dhjetëra herë më e madhe. Ish-drejtori i Agjencisë së Kthimit të Pronave për Tiranën, Bledar Dervishaj, u arrestua javën e kaluar nga Task Forca e Prokurorisë së Tiranës së bashku me katër topografë. Ai kishte hedhur firmën në një vendim, i cili ua kthente 48 hektarë tokë plazhi në Kavajë dy grave, trashëgimtare të familjes Jenisheri. Sipas Prokurorisë, kthimi i pronës në fjalë me anë të dhënies së tokës në bregdet është bërë në abuzim të ligjit, pasi familjes në fjalë i takonte tokë arë dhe jo ranishte. Me anë të dhënies së kësaj sipërfaqeje toke, sipas Prokurorisë, zyrtarët e Agjencisë së Pronave kanë shkelur ligjin duke i kthyer një pronë në vlerë më të lartë sesa ajo që i takonte familjes Jenisheri. Hetimi që u finalizua me arrestimin e pesë personave, filloi me denoncim nga Hipoteka, e cila konstatoi se familjes nga Kavaja i ishte kthyer një pronë disa herë më e vlefshme sesa toka që i takonte. Nga ana tjetër, hetimet e Prokurorisë kanë gjetur se dy gratë që përfituan pronën në mënyrë të parregullt nga Agjencia e Tiranës, sapo kanë aplikuar në AKKP, kishin bërë një parakontratë me një avokat në Durrës. Sipas kësaj parakontrate, sapo Agjencia e Pronave t’ua kthente tokën dy grave, trashëgimtare të familjes Jenisheri, prona në fjalë do të shitej për 137 lekë të vjetër metri katror. Përveç postimit të pronës që duhej të kthehej, e cila nuk ishte ranore dhe nuk ishte pranë detit, Prokuroria është duke hetuar edhe shitjen e sipërfaqes në fjalë, pasi dyshohej se pas vlerës minimale të vendosur për çmimin e saj, fshihen interesa të caktuar biznesi. Ish-drejtori i Agjencisë së Pronave të Tiranës, Bledar Devishaj, u arrestua javën e kaluar me urdhër të Task- Forcës Antikorrupsion. Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën së bashku me Ali Aliajn, ish-përgjegjës i sektorit juridik në Zyrën Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, Dhimitër Papa, ish-topograf në Zyrën Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë dhe Merita Gjinali, ish-topografe në Zyrën Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë. Bashkë me këta nëpunës, mësohet se shtetasi Niazi Ademi, topograf, ka marrë pjesë në hartimin e dokumentacionit, mbi të cilin është marrë më pas vendimi për dhënien e 48 hektarëve tokë plazhi familjes Jenisheri në Kavajë. Pas arrestimit të pesë të dyshuarve dhe shpalljes në kërkim të personit të gjashtë të akuzuar, Policia e Shtetit doli me deklaratë për median. Sipas deklaratës, pesë ish-zyrtarët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përfituar nga pozita zyrtare dhe nëpërmjet falsifikimeve, i kanë kthyer trashëgimtarëve të familjes “Jenisheri” një pronë prej 79 dynymësh, duke e spostuar pronën e kthyer nga vendndodhja reale e saj për në bregdetin e komunës Gosë, Kavajë, si dhe duke ndryshuar dhe zërin kadastral nga tokë ranishte në arë.
Të arrestuar
Bledar Dervishaj, ish-drejtor i AKKP, TiranëAli Aliaj, ish-përgjegjës juridik në AKKP, Tiranë
Dhimiter Papa, ish-topograf në AKKP, Tiranë
Merita Gjinali, ish-topografe në AKKP, Tiranë
Niazi Ademi, topograf i licencuar, punonjës Ujësjellësi, Durrës
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











