
Katër të burgosur në burgun e sigurisë së lartë të Fushë-Krujës, tre prej të cilëve të dënuar me burgim të përjetshëm, u zbuluan në momentet e fundit në tentativë për t’u arratisur.Forcat e sigurisë i kanë parë ata në tarracën e njërës prej godinave të burgut, në tentativë për t’u hedhur prej saj deri në gardhin rrethues të burgut. Alarmi i dhënë edhe me të shtëna arme nga roja që i ka pikasur i pari, ka çuar në këmbë të gjithë efektivat e burgut, të cilët ndërhynë në kohë duke evituar arratinë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur se të burgosurit që tentuan të arratiseshin janë të gjithë nga Shkodra dhe me dënime maksimale për krimin e vrasjes. Ata janë: Gëzim Guri, 34 vjeç, dënuar me burgim të përjetshëm, Fran Marashi, 33 vjeç, dënuar me burgim të përjetshëm, Prel Vucaj, 39 vjeç, dënuar me burgim të përjetshëm dhe Altin Kodra, i dënuar me 22 vjet heqje lirie. Dyshohet se plani i arratisë është bërë me kohë, ndërsa është vënë në zbatim dje rreth orës 04:45, kur në Fushë-Krujë binte rrebesh shiu dhe frynte erë. “Forcat e sigurisë të institucionit kanë konstatuar katër të dënuar të sigurisë të lartë në përpjekje për t’u larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit. Pasi kanë dëmtuar murin e brendshëm të dhomës ku ata qëndronin, kanë prerë 3 hekura të dritares dhe kanë dalë nga dhoma. Ata janë vënë re nga polici i shërbimit, i cili ka njoftuar menjëherë forcat e tjera të Policisë së Burgjeve. Personat janë neutralizuar menjëherë, pa arritur të përmbushnin qëllimin e tyre. Janë marrë të gjitha masat dhe këta të dënuar janë izoluar në dhoma të veçanta”, thuhej në njoftimin e Drejtorisë së Burgjeve. Sipas burimeve, personat në bashkëpunim kanë përdorur një thikë diamanti me të cilën kanë prerë hekurat e dritares në katin e dytë. Më pas ata janë hedhur prej saj në oborr duke u futur në korridorin e një ndërtese tjetër, prej së cilës kanë mundur të ngjiten në tarracë. Mësohet se aty kanë qëndruar për rreth 20 minuta, duke tentuar të orientohen në drejtimin që do të merrnin për të arritur në pjesën ku ishte bërë gati çarja e telave të rrethimit. Pikërisht në këtë moment janë zbuluar nga njëri prej rojeve të sigurisë që ka dhënë alarmin. Nga burime të burgut bëhet e ditur se të burgosurve u duhej të kalonin dhe disa godina të tjera për të arritur te rrethimi i jashtëm, ku persona ende të paidentifikuar e kishin hapur nga jashtë me pinca. Pas alarmit të dhënë, forcat e sigurisë kanë kërkuar në mënyrë urgjente edhe ndihmën e forcave speciale, të cilët mbërritën disa minuta më pas në vend. Të dënuarit janë neutralizuar në kohë, ndërsa janë izoluar në qeli të veçuara. Ata nuk kanë pranuar të rrëfejnë detaje të këtij planifikimi për arratisje, si dhe as për personat që i kanë ndihmuar në arratisje, përfshirë këtu edhe efektivë të burgut të sigurisë së lartë. Madje, në momentin e kapjes ata kanë ironizuar me shprehi të dëgjuara edhe më parë nga të dënuar që kanë tentuar arratinë: “Ne kemi për detyrë të planifikojmë arratisjen, ju të na ruani”.
Ngjarja, pyeten 10 efektivë të shërbimit
Veç të dënuarve, janë marrë në pyetje edhe 10 efektivë të policisë, të cilët kanë qenë në atë orar në shërbim. Tashmë kanë nisur hetimet nga ku do të bëhen verifikimet përkatëse edhe në sajë të pamjeve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë së burgut. Gjithashtu, Prokuroria e Krujës, e cila ka nisur hetimin, ka marrë në pyetje edhe drejtuesit e burgut për mënyrën e funksionimit të rojeve të shërbimit, pasi të dënuarit kanë arritur të dalin në pjesën më të madhe të pengesave.
Të dënuarit mbahen në izolim
Prokuroria e Krujës është duke hetuar ngjarjen, ndërsa janë marrë në pyetje disa herë protagonistët e saj. Ata nuk kanë pranuar të deponojnë për persona të mundshëm të implikuar. Burime nga Drejtoria e Burgjeve thanë se në ditët në vijim është menduar të transferohen në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Ndërsa transferimi në Burrel nuk është parë e arsyeshme, duke qenë se njëri prej tyre ka mundur të arratiset dhe më parë prej tij.
Hetimet, anëtari i bandës së Urës Vajgurore, truri i arratisjes

Katër personat që tentuan të arratiseshin dje nga burgu i Fushë-Krujës janë të dënuar maksimalisht për shkak të veprave të rënda për të cilat akuzohen. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se “truri”, për këtë arratisje ka qenë i dënuari përjetë, Fran Marashi. Shkodrani 33-vjeçar është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Ai është ekstraduar nga Italia në vitin 2006, pasi akuzohej si një ndër pjesëtarët e bandës së Urës Vajgurore, ku në trazirat e 1997-s mbetën të vrarë katër policë dhe u plagosën dy të tjerë. Emri i Marashit është i njohur dhe për arratisjen nga burgu po i sigurisë së lartë në Burrel, tre vjet më parë. Bashkë me Preng Lleshin ai arriti të dilte jashtë burgut, pasi sharruan hekurat e banjës, për t’u arrestuar rreth 30 minuta më vonë, i fshehur disa metra larg burgut. Të dënuar të tjerë të përjetshëm janë dhe Gëzim Guri, 34 vjeç, dhe Prel Vucaj, 39 vjeç, të akuzuar për vrasje si dhe grabitje me pasojë vdekjen, ngjarje këto të ndodhura gjatë vitit 1997. I dënuari i katërt është Altin Kodra, 36 vjeç. Ai është dënuar me 22 vjet burg për vrasjen e biznesmenit të tullave në qytetin e Shkodrës, Zamir Bilali. Ngjarja ndodhi më 14 gusht të vitit 2006, pas një grindjeje mes Kodrës dhe Bilalit, fqinjë mes tyre. Burime nga Drejtoria e Burgut bënë të ditur se të dënuarit nuk kanë pranuar të flasin se kush ua kishte futur thikat dhe përbërësit prej diamanti me të cilën ata prenë hekurat e dritares së qelisë. Nga të dhënat e para mësohet se të burgosurit nuk kanë bërë bashkëpunëtorë punonjësit e burgut, ndërsa pritet që hetimet të nxjerrin dhe personat që i kanë ndihmuar nga jashtë. Aktualisht, të dënuarit janë izoluar sërish në burgun e Fushë-Krujës, deri në një vendim për transferimin e tyre.
FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











