Katastrofë natyrore në Kenia dhe Uganda, të paktën 25 të vdekur nga rrëshqitjet dhe po kaq të zhdukur!

Nov 2, 2025 | 18:38

Qeveria keniane ka konfirmuar se 21 persona kanë vdekur pas një rrëshqitjeje dheu në pjesën perëndimore të vendit, e cila u shkaktua nga reshje të rrëmbyeshme shiu, kurse në shtetin kufitar të Ugandës ka pasur të paktën 4 viktima të tjera.

kenia rreshqitje

Ministri i Brendshëm Kipchumba Murkomen tha se trupat ishin transferuar në një pistë ajrore aty pranë, pas rrëshqitjes së dheut në Marakwet East vonë të premten në mbrëmje.

Ai tha në rrjetin X se më shumë se 30 persona rezultojnë ende të zhdukur, pasi familjet e tyre i kanë raportuar, ndërsa 25 persona me lëndime të rënda janë transportuar me helikopter për të marrë kujdes të mëtejshëm mjekësor.

Kryqi i Kuq kenian, i cili po ndihmon në koordinimin e përpjekjeve të shpëtimit, tha se zonat më të prekura ende nuk janë të arritshme nga rruga për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve të menjëhershme. Qeveria keniane ndaloi operacionin e kërkim-shpëtimit të shtunën në mbrëmje, por tha se do të rifillonte të dielën.

“Përgatitjet për të furnizuar viktimat me më shumë ushqime dhe artikuj ndihme jo-ushqimore janë duke u zhvilluar”, tha Murkomen, duke shtuar: “Helikopterë ushtarakë dhe policorë janë në gatishmëri për të transportuar artikujt”.

Kenia është në sezonin e dytë me shira, kur zakonisht përjeton disa javë mot të lagësht krahasuar me një periudhë më të rëndë dhe më të zgjatur në fillim të vitit. Qeveria u ka kërkuar njerëzve që jetojnë pranë lumenjve sezonalë, si dhe zonave që përjetuan rrëshqitje toke të premten, të zhvendosen në vende më të sigurta.

Ndërkohë, përmbytjet e menjëhershme dhe rrëshqitjet e dheut në Ugandë, pranë kufirit me Kenian, kanë vrarë një numër njerëzish që nga e mërkura e kaluar.

Të shtunën, Kryqi i Kuq i Ugandës tha se një tjetër rrëshqitje balte kishte ndodhur në fshatin Kapsomo në lindje të vendit, duke shkatërruar një shtëpi dhe duke vrarë katër persona brenda.

Kryqi i Kuq tha se përmbytjet kishin prekur rëndë shumicën e fshatrave pranë brigjeve të lumenjve në distriktin Bulambuli.

© Panorama.al

Te lidhura