Ka zgjedhur një letër, të bërë publike në faqen zyrtare të klubit kuqezi, AC Milan, për të shprehur mirënjohjen karshi interesimit të të gjithëve për të, në momentin e vështirë që kaloi me shëndetin, teksa iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër. Ky është Antonio Kasano, sulmuesi i Milanit dhe i kombëtares së Italisë, të cilit do t’i duhet të paktën 6 muaj për t’u rikuperuar dhe bërë gati për fushat e blerta. Ndër të tjera, në këtë letër, që ka bërë xhiron e botës, përmes mediave, talenti barez i futbollit italian shkruan: “Miq të dashur, doja t’ju shpreh falënderimin maksimal, në emrin tim dhe të familjes sime, për gjithçka të mirë, që keni bërë dhe keni shprehur gjatë ditëve të kaluara. Çfarëdo dëshpërimi apo vështirësie që përjetova, shpejt u zëvendësua nga dashuria e shfaqur nga njerëzit rreth e qark botës karshi meje. Dua t’u dërgoj një përqafim të gjithë atyre, që treguan mbështetje dhe bënë që unë të ndjehem i rëndësishëm, qoftë duke ardhur e më vizituar në Poliklinikën e Milanos, qoftë duke më dërguar mesazhe të shumta, përmes formave të ndryshme. Falënderoj klubin e Milanit dhe në veçanti presidentin Silvio Berluskoni, por edhe presidentin e ish-klubit tim, të Real Madridit, për solidaritetin e treguar në këtë moment të vështirë për shëndetin dhe karrierën time.”











