Kapet në Rinas i kërkuari për vrasje për hakmarrje

Sep 20, 2012 | 12:35

TIRANE – Jetmir Llanaj, 33-vjeçari që u shpall në kërkim 2 muaj më parë, i dyshuar për vrasjen e Mark Shkretës në Tiranë, si hakmarrje për vrasjen e djalin 9-vjeçar, rezulton të jetë arrestuar 4 ditë më parë në Aeroportin e Rinasit. Por, një gabim në dukje teknik apo edhe vonesa në azhornimin e të dhënave në listën e personave të kërkuar, ka bërë që arrestimi i tij të kalojë pa bujë jo vetëm për mediat, por edhe për Policinë e Tiranës, që e kishte shpallur në kërkim policor. Pasi është transportuar fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, duke qenë se rezultonte i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë, Llanaj ka mbërritur dje në kryeqytet, ku prej datës 19 gusht rezultonte si një prej personave më të kërkuar për vrasje. Burimet thanë se rasti i Jetmir Llanajt fillimisht është konsideruar si një arrestim rutinë në Aeroportin e Rinasit, pas verifikimet që kryhen në sistemin TIMS për të gjithë personat që hyjnë në Shqipëri. Edhe në këtë rast, ndaj Llanajt, i cili kishte udhëtuar nga Italia drejt Tiranës, është bërë një verifikim i tillë dhe menjëherë është zbuluar se emri i tij figuronte në listën e të kërkuarve nga Drejtësia. Megjithëse jo si i akuzuar, por si i dënuar me 10 muaj burg në mungesë nga Gjykata e Lezhës për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të rendit. Jetmir Llanaj, babai i 9-vjeçarit Endrit Llanaj, i vrarë me armë zjarri në Mamurras më 5 qershor të këtij viti, sipas Policisë, u dyshua si autor i vrasjes për hakmarrje që ndodhi mëngjesin e 19 korrikut në rrugën “Hoxha Tahsim”, në Tiranë. Ai u akuzua se kishte qëlluar dy herë me armë zjarri shtetasin Mark Shkreta, i cili është babai i dy personave që më 5 qershor 2012 vranë në Mamurras fëmijën 9-vjeçar teksa udhëtonte në makinë me xhaxhain e tij, Muharrem Llanaj. Mark Shkreta është qëlluar për vdekje nga një distancë e afërt, sapo ka dalë nga pallati ku banonte prej pak javësh.

© Panorama.al

Te lidhura