Kapet 120 kg marijuanë, arratisen transportuesit

Nov 23, 2011 | 19:40
Droga e sekuestruar nga policia e Gjirokastres

GJIROKASTER- Trafikantët e drogës nga Lazarati nuk arrijnë dot të bien në duart e Policisë së Gjirokastrës, ndërkohë që lënda narkotike që po e transportonin, u sekuestrua. Komisariati i Policisë së Gjirokastrës, ndërmori mëngjesin e së mërkurës një  operacionin të koduar “Mjegulla”, ku u sekuestruan 120 kg marijuanë.  Kanë qenë gjithsej pesë persona prej të cilëve katër nga Lazarati dhe një nga Nepravishta, të cilët, kishin marrë përsipër të kalonin marijuanën drejt Greqisë përmes kufirit të gjelbër. Droga ishte siguruar në Lazarat, nga katër të rinjtë e këtij fshati.

Policia e vënë në ndjekje të tyre, u ka bërë thirrje të pesë shtetasve që të dorëzoheshin por reagimi ka qenë negativ me sharje dhe ofendime në drejtim të tyre. Pesë trafikantët, janë hedhur në përrua nga një lartësi gati 20 metra duke përfituar nga errësira, mjegulla dhe shiu i rrëmbyer që po binte përfshirë këtu edhe terrenin e thyer dhe të vështirë, duke iu shmangur policisë.

Nga kontrolli i kryer tek çantat, u gjetën dhe u sekuestruan dhjetë pako të mëdha me peshë 10 kg secila të kopertuara në katër çanta të mëdha shpine, si dhe dhjetë pako me dy kg secila të gjendura brenda një thesi.

Policia e Gjirokastrës, ka shpallur në kërkim pesë trafikantët që transportonin lëndën narkotike ndërkohë që emrat e tyre, nuk bëhen publik për shkak hetimi.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura