Kryeministri Edi Rama tha sot në episodin e radhës të podkastit të tij “Flasim” se kaosi me rrugët nuk është shkaktuar nga korrupsioni, por nga natyra, ashtu sikurse po ndodh edhe në pjesën më të madhe të botës, pasi akset e vjetra kanë qenë të ndërtuara në formacione gjeologjike jo të forta në një pjesë, që me kalimin e viteve kanë pësuar edhe erozione nga kushtet atmosferike.
Ndërsa kaloi tek pika kryesore e ditës, që ka shkaktuar edhe shumë revoltë popullore, izolimi i juglindjes dhe shembja e rrugëve kombëtare, kryeministri shpjegoi se nuk është prekur Korridori Tetë siç thuhet në media dhe se po punohet në akset e dëmtuara për riparimet në kohë dhe kthimin e normalitetit.
Ngjarjen ai e cilësoi fatkeqësi natyrore.
Ai foli gjatë duke akuzuar opozitën me bombat artizanale dhe mediat, se po bëjnë zhurmë, pasi ishin rrëshqitje nga moti i keq si në të gjithë botën e rajonin e jo vepra të korrupsionit.
“Do të ndalem këtu te bombat artizanale që shpërthyen në 700 penxheret e Shqipërisë. Lidhet me një fatkeqësi, me ndërhyrjen e një force madhore, në aksin e Korridorit të tetë, aksin ku ndërtohet një nga veprat më kuptimplota të Shqipërisë, që pas rënies së regjimit. Kjo zhurmë tenxheresh, kjo çmenduri që çoi në veshin e shqiptarëve se ajo rrëshqitje prej 100 metrash në një aks qindra kilometra nuk ishte fatkeqësi, është një ardhje rrotull këmbësh rreth Shqipërisë në misionin e saj për të arritur në majën ku duan të shkojnë shqiptarët, në BE”, tha ai.
Më tej Rama këmbënguli se kjo zhurmë bëhej për të penguar vendin drejt integrimit, teksa u shpreh se rruga dhe misioni nuk do ndalet.
“Shqipëria po e lufton korrupsionin më shumë se asnjëherë. Po kaq e vërtetë është kjo sa lidhja e korrupsionit me rrëshqitjen, zero, zero. Aty ka diçka gjeologjike dhe asgjë që lidhet me kantierin dhe punimet që janë bërë në segmentin Elbasan-Qafë-Thanë, por në rrugën e vjetër ku materialet argjilore dhe formacionet janë efektuar si në shumë vende, përfshi e Greqinë fqinje, për shkak të reshjeve të pandërprera prej ditësh. ARRSH ka ndërhyrë menjëherë, Policia ka siguruar prani 24 orë, në të gjitha ditët, që kur ka ndodhu bllokimi. Puna intensive nuk është ndalur asnjë minutë, as puna për stabilizim të terrenit. Ekipet janë në terren për të shkuar përtej riparimit sipërfaqësor. Këto bëhen që të ndalin Shqipërinë drejt BE, por Shqipëria nuk ndalet”, tha ai.
Fjala e Ramës për rrugët, pagat në arsim dhe raportin e BERZH:
“Sqarim mbi situatën në aksin rrugor Librazhd – Përrenjas:
Dua të ndalem këtu edhe një herë për të adresuar një zhurmë të jashtëzakonshme bombash artizanale që shpërthyen në të tëra 700 tenxheret politike-mediatike të Shqipërisë, lidhur me një fatkeqësi natyrore ose siç quhet në kontratat e infrastrukturës, një ndërhyrje e një force madhore pra që s’ka të bëjë me njeriun, po me natyrën, në aksin e Korridorit të 8, në kantierin e Korridorit të 8, ku po ndërtohet një nga veprat më kuptimplota të Shqipërisë së viteve pas rënies së regjimit dhe kjo zhurmë, kjo çmenduri, e cila përcolli në mënyrë këmbëngulëse në veshët e shqiptarëve, mesazhin se ajo rrëshqitje prej disa qindra metrash në një aks shumë kilometërsh ishte pasojë e korrupsionit, nuk është asgjë tjetër, përveçse pjesë e një zinxhiri të tërë histerie, që i vjen rrotull këmbëve të Shqipërisë, pikërisht në kohën kur Shqipëria është duke kryer misionin më historik të saj për të mbërritur më në fund në majën ku meritojnë të jetojnë shqiptarët, aty ku është shtëpia e përbashkët e Bashkimit Europian.
E pikërisht kur Shqipëria po e lufton korrupsionin më fort se asnjëherë dhe këto janë fakte, këtu flitet se korrupsioni është më i madh se asnjëherë. Po kaq e vërtetë është kjo, sa ç’është e vërtetë lidhja e korrupsionit me atë rrëshqitje. Zero, zero! Aty ka një gjeologji të vështirë dhe rrëshqitja ka afektuar, jo aksin e ri, asgjë që lidhet me kantierin dhe me të gjitha punimet që janë bërë me kantierin përgjatë segmentit të rrugës Elbasan-Qafë-Thanë, po rrugën e vjetër, në një vend ku terreni malor, formacionet argjilore dhe shpatet e paqendrueshme janë afektuar ndjeshëm, siç ka ndodhur në shumë vende, duke u nisur nga Greqia fqinje për shkak të reshjeve shumë intensive dhe këmbëngulëse të këtij dimri.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndërhyrë menjëherë me masa adekuate emergjence.
Policia e Shtetit ka bërë të gjitha përpjekjet për të siguruar prani 24 orë në të gjitha ditët që kur ka ndodhur bllokimi, për të garantuar sigurinë. Puna intensive për hapjen e rrugëve alternative, nuk është ndalur asnjë minutë, po ashtu dhe puna për të stabilizuar gjeoteknikisht terrenin. Paralelisht, ekipet inxhinierike janë në terren për të shkuar përtej riparimit sipërfaqësor që nuk është i mjaftueshëm sepse duhet garantuar stabilizimi i thelluar që t’i japi fund një herë e mirë problemit që është shfaqur aty dhe që ta bëjë këtë në mënyrë të qëndrueshme dhe prandaj, paralelisht me menaxhimin e situatës aktuale po përshpejtohet zhvillimi i kësaj infrastrukture të re strategjike.
Edhe një herë, është shembulli tipik, më i freskët i diferencës midis realitetit dhe të vërtetat e një Shqipërie që ngjitet dhe dëshpërimit të atyre që përfaqësojnë Shqipërinë, që ne gjetëm në humnerë dhe që nga humnera ku ndodhen, duan ta tërheqin këtë vend poshtë, po nuk kanë për t’ia dalë sepse kjo Shqipëri nuk ndalet.
Rritja e pagave në sistemin arsimor
Kemi miratuar këtë jave dhe një nga vendimet më të rëndësishme, që lidhet drejtpërdrejt me një nga shtyllat kryesore të jetës së vendit dhe që ka të bëjë në mënyrë të pazgjidhshme me mirërritjen e fëmijëve tanë, që është arsimi.
Nga 1 janari, hyri në fuqi indeksimi me 2.5% i pagës bruto dhe për të gjithë punonjësit mësimorë dhe jo mësimorë të arsimit parauniversitar që nuk është vetëm kaq, por për kategoritë me pagë nga 58 mijë deri në 74 mijë lekë në muaj, aplikohet dhe një shtesë tjetër prej 3 mijë lekësh, që do të thotë që rritja e përgjithshme për këto kategori, arrin nga 4% deri në 5.17%.
Kjo është një risi në buxhetin e shtetit shqiptar, pra indeksimi i pagave, gjë që është aktuale në këtë pikë të bisedës për mësuesit, por nuk janë vetëm mësuesit, që përfitojnë nga ky indeksim gjë që ndodhte deri dje, vetëm për pensionistët, sepse ato ishin dje mundësitë. Sot, kjo Shqipëri ka mundësi të reja dhe siç e kam thënë në kohë të padyshueshme kur i thonë fjalës, pra, atëherë kur këto gjëra nuk ndodhnin, kam thënë se do të ndodhnin, që sa herë ne të rrisim mundësitë, duke rritur ekonominë, aq herë rritja e mundësive do të kthehet në diçka e prekshme për njerëzit.
Dhe është e prekshme aktualisht për 36,390 punonjës të sistemit arsimor:
30,000 në arsimin parauniversitar,
1,500 në arsimin profesional,
4,890 në arsimin parashkollor dhe në konvikte
Me një efekt financiar të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit, por tërësisht të merituar për njerëzit që përfitojnë dhe nuk është një shifër në tabelë, është një mesazh. Një mesazh i qartë se tanimë nuk jemi më në kohën kur duhet pritur me vite për të parë një rritje sado simbolike page, po jemi në kohën që rrisim ekonominë, rrisim mundësitë dhe rrisim aftësinë rishpërndarëse të shtetit. Dhe është një mesazh për punën e mësuesit, për punën e edukatorit, psikologut, punonjësit social dhe çdo punonjës të sistemit arsimor, se ne jemi pranë tyre dhe do të vazhdojmë të mbështesim dhe përsëris, sa herë të kemi një mundësi, ajo mundësi e re do të jetë një mundësi për ta, për rritjen e mirëqenies së tyre.
Grant 2026 – Financimi për startup-et
Këtë javë kemi po ashtu, fuqizuar më tej skemën e mbështetjes për startupet në kuadër të Grantit 2026, duke e strukturuar financimin sipas fazës reale të zhvillimit të biznesit.
Në fazën fillestare, mbulojmë 100% të kostove dhe pastaj në fazën e vlerësimit financimi rritet, duke shkuar me mbulim 85% për startup-et që kanë testuar produktin dhe që po konsolidojnë modelin e biznesit. Ndërsa, pastaj në fazën kur vjen rritja, atëherë pra rritja e startup-it në fushën e lojës konkurruese, financimi shkon në 75% për kompani që janë në treg dhe që pikërisht po synojnë të ngjiten.
Kjo, nuk është thjesht një skenë financimi, është një mekanizëm për të kultivuar një kulturë të re sipërmarrje. Sipërmarrje që bazohet tek kurajoja, tek inovacioni dhe tek orientimi drejt tregut global, gjë që po e bëjmë me gjithmonë e më shumë sukses, gjithmonë e më shumë sipërmarrje njerëzish, vajzash dhe djem të talentuar të këtij vendi. Shqipëria nuk mund të ndërtojë një ekonomi konkurruese vetëm mbi sektorët tradicionalë, por me fokus në teknologji, shërbime dixhitale, inteligjencë artificiale, pra me produkte me vlerë të shtuar, që konkurrojnë jashtë në tregun rajonal dhe europian, pa i nxitur të rinjtë dhe të rejat e talentuara, që të ikin nga ky vend, por që nga ky vend të pushtojnë botën.
Raporti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) – Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor.
Edhe diçka tjetër në këto shënime, raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim jep një konfirmim tjetër, edhe një herë, të faktit që ne e përsërisim prej kohësh, po çuditërisht, kur këto i thonë të huajt, kur i thonë organizmat me reputacion ndërkombëtar, ngjisin më shumë, ekonomia shqiptare po rritet me qëndrueshmëri.
Në vitin 2025 sipas Berzh-it rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte afro 4%, ndërsa për periudhën 2026-2027 parashikohet një ritëm i ngjashëm. Këto nuk janë thjeshtë shifra statistikore, janë indikatorë të një stabiliteti makro-ekonomik dhe të një besimi të ri të Shqipërisë tek vetja dhe të investitorëve tek Shqipëria. Rritja mbështetet kryesisht në sektorë, jo vetëm tradicional, pra në sektorin e pasurive të paluajtshme që mund ta quajmë tradicional, por edhe në shërbime të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, gjë që është një prurje e re në portofolin e ekonomisë tonë dhe që lidhet edhe me atë që thashë në pikën e mëparshme të këtyre shënimeve.
Një tjetër element domethënës se niveli rekord i investimeve të huaja direkte në vitin 2025, të përqendruara edhe këto në pasuri të paluajtshme dhe shërbime financiare, një pikë që i përgjigjet asaj pyetjes së famshme dhe famëkeqe – “Kush i blen këto apartamente”, “kush i blen këto ndërtime” dhe ndërkohë që blerësit me nënshtetësi të huaj, jo vetëm shqiptarë, që kanë marrë një nënshtetësi të huaj, por flasim këtu për të huaj që kanë nënshtetësi të huaj dhe kombësi të huaj, vetëm rriten. Dhe e fundit, në Ballkanin Perëndimor, Berzh-i parashikon një përshpejtim të rritjes ekonomike, edhe në vitin 2026, edhe në vitin 2027, gjë që përbën patjetër një lajm shumë të mirë edhe për Shqipërinë, që pozicionohet me një ritëm konkurrues në këtë rajon.
© Panorama.al











