Krenar Lilaj, shefi i Shërbimit Anestezi Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë ka treguar se çfarë ndodhi një ditë më parë me ndërprerjen e energjisë elektrike.
Në një komunikim për mediat ai tha se nuk u rrezikua jeta e pacienteve, ndërsa theksoi se defekti ishte tepër i rëndë, por u shpreh se pacientët me aparat të ventiluar janë të pajisur me ‘backup’, duke mundësuar funksionimin edhe pas ndërprerjes së energjisë.
Sipas tij, trajtimi i pacientëve u krye në mënyrë të kontrolluar edhe tek reanimacioni i kardiologjisë, ku edhe u transferuan.
“Momenti më delikat është trajtimi i të sëmurëve që kanë nevojë asistencë respiratorë. Pacientët e intubuar që ventilohen me aparate të veçantë në kushtet e ndërprerjes së dritave janë të pajisur me një pajisje beckup, dmth që siguron funksionimin e tyre të plotë me energji të akumuluar.
Trajtimi i këtyre të sëmurëve vazhdoi normalisht. Jo vetëm trajtimi i asistencës respiratore, por edhe trajtimi në vazhdim i tyre, pasi këta të sëmurë mjekimin marrin përmes aparateve që janë me beckup.
Monitorimi i të sëmurëve ishte korrekt. Ndërprerja e energjisë zgjati disa minuta. Flitej për një defekt të rëndë dhe koha e rikthimit të energjisë ishte e pa konfirmuar. Në këto kushte për të shmangur mosfunksionimin e një kohëshëm, të disa aparateve respiratorë vendosëm kalimin e pacientëve në repartin e spitalit ngjitur, pra 20 metër më larg duke siguruar trajtimin në kushtet e reja. Vendosëm që të transferonim 10 të sëmurë, nga të cilët 9 ishin në respirator të drejtuar. Gjatë transportit u përdor respirator portativ, pa u cënuar trajtimi i tyre. Të sëmurët u stabilizuan në reanimacionin e kardiologjisë për 20-30 minuta”, tha Lilaj.
© Panorama.al












