
Numëruesit morën kutinë e fundit për të nisur procesin e, në këtë çast, dhjetëra vetë dolën nga salla.Kutia e fundit në Njësinë Nr. 5, e cila do të përcaktonte fituesin e garës, u prit me emocione nga vëzhguesit e të dy partive, ndërsa ata që mbetën në sallë u jepnin zemër numëruesve të kutisë së fundit. Të katër numëruesit bënë me shenjë nga vëzhguesit se ndihen mirë dhe më pas morën pincat dhe zbërthyen kutinë.
Këto emocione nuk ishin të vetmet në numërimin e 8 kutive të fundit në Njësinë Nr 5. Askush nuk e priste që brenda pak orësh të 8 kutitë të numëroheshin. Kjo ndoshta falë edhe prezencës së ambasadorëve të huaj në sallë, mes tyre edhe ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, i cili qëndroi gjatë gjithë kohës në procesin e numërimit duke u shkëputur vetëm për pak, për të ngrënë drekë e për të ardhur më pas në numërimin e kutisë së fundit. Ardhja e tij futi brenda edhe vëzhguesit brenda. Dhjetëra persona nga shtabet e partive prisnin në oborrin e shkollës “Valis Shanto” dhe me telefona hapur dëgjonin numërimin duke mbajtur shënime. Dikush nga stafi i PS shënonte plus për kandidatin Rama e dikush nga stafi i PD shënonte minus për kandidatin Basha. Por në mesin e numërimit të kutisë së fundit, një numërues i PD u ngatërrua duke menduar se procesi mbaroi dhe doli jashtë duke dhënë lajmin se kutia doli vetëm me 24 vota minus. Kjo solli festë në kampin e djathtë dhe jashtë shkollës solli praninë e mbështetësve të kandidatit Basha, që nisën të brohorasin. Mbështetësit kishin nisur festën jashtë shkollës e ndoshta askush nuk kuptonte se kush kishte fituar. Deputetët e PD-së nginin supet, ndërsa ata të PS-së nuk jepnin asnjë përgjigje, ndërsa mbyllnin telefonatat që u vinin në telefonin celular. Numëruesit nisën të plotësojnë procesverbalin dhe për habi, askush nuk po ndërhynte duke u ndjerë si të tulatur para rezultatit e duke mos u besuar syve se nuk dinin fituesin. Mes kampit demokrat u përhap fjala se Basha kishte fituar vetëm me 1 votë para, ndërsa mes atyre të PS-së, Rama ishte fitues, pavarësisht se nuk dihej se sa vota para.
Kuti pas kutie
Hapja e tri kutive të para solli një entuziazëm tek mbështetësit dhe vëzhguesit e djathtë, pasi diferenca në këto tri kuti ishte diku tek 100 vota minus për kandidatin Basha. Tek të djathtët që po nxitonin të festonin, u dha lajmi që KQZ kishte ngatërruar shifrat, pasi një kuti votimi në Njësinë Nr. 8, ku Basha kishte 108 vota para, ishte hedhur 2 herë në sistem. Ky fakt rriti tensionin dhe emocionin mes qindra të pranishmëve në shkollën “Vasil Shanto”. Tashmë rezultati nuk ishte 751 vota para për Bashën kur mbeteshin edhe 8 kuti, por 463 vota para. Përfundoi kutia e katërt dhe doli vetëm me 48 vota para për kandidatin Rama, kjo rriti entuziazmin tek kampi i djathtë, kutia e pestë priste, ndërsa u vendos për pak pushim dhe deputetët e majtë dolën nga salla. Lajmi që kutia e pestë kishte vetëm 51 vota më shumë për Ramën, u prit mirë nga të dyja palët, të cilat vijonin të bënin kalkulime.
3 kutitë e fundit
Tashmë, në kutitë e fundit salla kishte rënë në qetësi. U hap kutia e parë me një rezultat prej 90 votash dhe kjo rriti entuziazmin tek kampi i majtë. Do të duheshin mbi 20 minuta për të mësuar rezultatin e saktë, pasi vëzhguesit gaboheshin duke dhënë shifra jo të sakta. Por në kampin e djathtë ruhej entuziazmi duke pritur kutinë e parafundit. Rezultati erdhi dhe një e brohoritur e madhe u dëgjua në sallë. Ishin socialistët që pon festonin, dhe jo më kot, pasi Rama kishte fituar 124 vota më shumë në këtë kuti. Në kutinë ku pritej të kishte një rezultat minimal për kandidatin socialist, u arrit maksimumi që mendohej.
Kutia e fundit
Kutia e fundit pritej me qetësi nga kampi i majtë. Rezultati i vitit 2009 i kishte dhënë 150 vota socialistëve në këtë qendër votimi. Tashmë, kandidati Basha raportohej se ndodhej vetëm 56 vota para. Të djathtët prisnin që kutia të mos dilte më shumë se 55 vota para, duke u lutur edhe për 1 votë më shumë. Në kampin e djathtë, të mbledhur rreth ministrave Vasili e Ruli, po mësohej me telefon numërimi. U dëgjua fundi dhe nuk mësohej nëse ajo kishte dalë 59 apo 66 vota para. Ankthi i procesverbalit u rrit më tej kur u dëgjua se u nis për në KQZ, ndërsa më pas anëtarët e KZAZ-së lajmëruan kampet se rezultati i kutisë së fundit ishte 66 vota në favor të Edi Ramës. Konfuzioni i shifrave la shtabet të shtangur, ndërsa mbështetësit jashtë shkollës, duke festuar. Një kordon i madh policësh i mbante ata të ndarë mes rrugës kryesore, ndërsa u hodhën edhe fishekzjarrë. Ndërhyrja e policisë largoi mbështetësit dhe me largimin e deputetëve, ata u nisën drejt selive të partive për të nisur festën. Të dyja palët festonin, ndërsa një fitues ende nuk kishte.
Salla
Ndryshe nga 6 ditët më parë, dita e fundit në shkollën “Vasil Shanto” ishte tërësisht e qetë dhe me rregull. Brenda u lanë vetëm një numër i kufizuar deputetësh, vëzhguesish dhe gazetarësh. Ndërsa të tjerët prisnin në oborrin e shkollës. Përkatësisht partitë kishin nga 20 vëzhgues secila.
Kalkulimet orë e çast
Në oborrin e shkollës “Vasil Shanto” të pranishmit e stafeve politike nuk kishin harruar te merrnin as makina llogaritëse për të kalkuluar rezultatin kuti pas kutie. Por pavarësisht kësaj, askush nuk fliste për një rezultat përfundimtar. Lajmi se KQZ ka hequr 108 vota për kandidatin Basha solli irritim dhe pezmatim. Gjithsesi në numërimin e kutisë së fundit, askush nuk llogariste më por mbante frymën dhe shënonte votat për të mësuar rezultatin e saj. Në fund makinat llogaritëse nuk shërbenin më pasi fituesi nuk dihej ndonëse jashtë kangjellave festohej.
Rezultati në 8 kutitë e fundit
KUTIA 1851
Rama 244 vota
Basha 235 vota
Diferenca 9 vota
KUTIA 1854
Rama 220 vota
Basha 166 vota
Diferenca 54 vota
KUTIA 1851/1
Rama 229 vota
Basha 198 vota
Diferenca 31 vota
KUTIA 1852
Rama 320 vota
Basha 272 vota
Diferenca 48 vota
KUTIA 1853
Rama 362 vota
Basha 311 vota
Diferenca 51 vota
KUTIA 1855
Rama 267 vota
Basha 177 vota
Diferenca 90 vota
KUTIA 1853
Rama 253 vota
Basha 129 vota
Diferenca 124 vota
Kutia 1854/1
Rama 220 vota
Basha 156 Vota
Diferenca 66 vota
Në total,
Rama ka marrë 19107 vota në Njësinë Nr. 5, ndërsa Basha, 14442 vota, me një diferencë në favor të Ramës me 4465
Sterkaj pezmatohet gjatë numërimit, Ruli largohet i fundit nga Njësia 5
Tetë kutitë e fundit ishin stres dhe emocion edhe për figurat politike e deputetët e pranishëm në shkollën “Vasil Shanto”. Deputetët e PS-së qëndronin vazhdimisht brenda, me përjashtim të deputetit Sterkaj, i cili lëvizte shpesh nëpër oborr të shkollës. Nga ana tjetër, ministrat Vasili dhe Ruli së bashku me disa deputetët të PD-së, qëndronin në hyrje të shkollës duke pritur se ç’po ndodhte në palestër ku po numëroheshin votat. Pavarësisht ndarjeve politike, shpeshherë deputetët e të dyja kampeve qëndronin bashkë, ndërsa komentet dhe batutat shtoheshin. Të djathtët hidhnin batuta, sipas të cilave deputeti i PD-së Palulin Sterkaj i pohoi ministrit Ruli dhe humbja për kandidatin socialist dukej e afërt, kur kishin ngelur edhe 3 kuti pa u numëruar. Pavarësisht këtyre batutave, deputetët e të dyja palëve qendrorin në zona të ndryshme të shkollës dhe me më pak komplekse duket deputeti Paulin Sterkaj, i cili ulej shpesh në shkallët hyrëse të palestrës duke pirë duhan e duke biseduar me gazetarët e pranishëm. Nga ana tjetër, hyrja e shkollës ishte kthyer në një tryezë të improvizuar për ministrat e kabinetit Berisha dhe deputetëve të PD-së. Kutia, e cila dha rezultatin 90 vota para, afroi drejt palestrës të gjithë deputetët, të cilët më pas nuk u larguan më e duke pritur me ankth numërimin deri në fund. Mbyllja e numërimi largoi të parët nga shkolla deputetët e PS-së, ndërsa ministrat Vasili e Ruli u larguan 1 orë më pas, duke lënë të fundit vendin e numërimit të votave.
Ambasadori Arvizu, mes tymit të cigareve
Ambasadori amerikan nuk iu nda numërimit të votave, madje duke qëndruar edhe mes vëzhguesve të shumtë, që nga stresi pinin edhe duhan në sallë. Gjithsesi, ai përfitoi nga një pushim i vogël për të ngrenë drekë dhe më pas erdhi menjëherë në numërimin e kutisë së fundit. Pas tij erdhi edhe ambasadorja britanike dhe ai holandez, të cilët po ashtu vizituan disa herë numërimin e votave. I veshur sportiv dhe i shoqëruar nga stafi i tij, ambasadori në sallë mbante shënime. Vëzhguesit tregojnë se ditën e parë ambasadori amerikan kontestoi dy vota, duke ngritur dorën që më pas u shpallën të pavlefshme, siç ishte edhe vlerësimi i Arvizut.
ERLAD KAPRI
© Panorama.al











