
Edhe pak ditë e ndajnë botën e kinemasë nga njëra prej ngjarjeve më të mëdha të vitit. Asaj që i hap udhën çmimeve “Oskar”. Bëhet fjalë për çmimet “Golden Globe”, të cilat do të ndahen në ceremoninë e datës 15 janar në Los Angeles. “Golden Globe” është një nga ato ngjarje, që priten me padurim nga kineastët nga e gjithë bota, pasi, kush kalon me sukses këtë fazë, me shumë gjasë nuk do të dalë pa gjë edhe në ceremoninë e “Oskar”-ve, që ndahen një muaj më pas. Ndërsa në frontin e trofeve më të rëndësishëm kinematografikë flitet ende për parashikime për edicionin e 69-të të “Globeve të artë”, kandidaturat janë bërë zyrtare. Mes krijimtarisë më të mirë të vitit që shkoi, janë 5-6 filma që spikasin me më shumë kandidatura. Kreun e klasifikimit e mban “The Artist”, një film pa zë dhe bardhë e zi, që i bën homazh pikërisht kësaj periudhe të historisë së Hollywood-it. “The artist” me regji të Michel Hazanavicius, kryeson me 6 kandidatura, mes të cilave ajo për kategorinë e filmit komedi apo muzikor më të mirë apo aktrimin më të mirë për aktorët francezë Jean Dujardin dhe Berenice Bejo. Për të vijuar me “The descendants” dhe “The help” me 5, “Midnight in Paris” me katër dhe tre kandidatura për “My week”. Duket se nuk ka të papritura të mëdha. Që këta filma do të tentonin kuotimet më të larta, flitej qysh se kur këto prodhime ishin në hapat e parë të xhirimeve, çka u përforcua me shfaqjet në kinema. I tillë është rasti i aktores Meryl Streep, e cila kandidon për aktoren më të mirë, për interpretimin e rolit të ish-kryeministres “së hekurt” britanike, Margaret Thatcher në “The Iron Lady”. Më 14 shkurt, pritet që Streep të marrë “Ariun e artë” për karrierën në edicionin e radhës së Festivalit të Filmit në Berlin. Ndonëse një vit i ngarkuar me thashetheme të atyre “rozë”, me kthesa të forta në jetën sentimentale, me ndarje, bashkime e sërish ndarje, 2011 qëlloi i mbarë profesionalisht për George Clooney-n. Përveçse i nominuar për aktorin më të mirë, emri i tij renditet në listat e kandidatëve për regjisorin dhe skenaristin më të mirë. Për aktorin më të mirë garon përballë mikut të tij Brad Pitt, aktorit Ryan Gosling që luan së bashku me të në filmin, që gjithashtu e drejton vetë, apo Leonardo Di Caprio-s. Kurse në “ringun” e regjisë duhet të përballet me të mëdhenjtë Woody Allen e Martin Scorsese. Kështu që janë të gjitha gjasat që të jetë një garë e fortë, e cila menjëherë do t’i lërë udhën, së pari nominimeve e më pas shpalljes së çmimeve të shumëpritura “Oscar”.
“Oskar”, parashikimet lënë jashtë filmin shqiptar

Ndonëse ende nuk janë bërë zyrtare kandidaturat për çmimet “Oskar”, nuk mungojnë parashikimet se cilët do të jenë fatlumët e këtij viti. Një nga kategoritë shumë të lakmuara nga kineastët europianë, aziatikë etj., është ajo e filmit në gjuhë të huaj. Prej vitesh edhe kinemaja shqiptare zien nga kjo temë. Pavarësisht përmasave të kinematografisë sonë, pretendimet i kemi të mëdha dhe është bërë e modës që çdo vit të ketë sherr se kush do të shkojë të përfaqësojë kinematografinë shqiptare në listën e gjatë të kandidatëve për çmimin “Oskar”. Edhe këtë vit ne e kemi përfaqësuesin tonë, ndonëse doli pas shumë peripecish. Bëhet fjalë për filmin “Amnistia” të regjisorit Bujar Alimani, i cili rrëzoi kandidaturën e parë, që ishte “Falja e gjakut” me regji të Joshua Marston. Për të mos iu kthyer më kësaj historie, duke u mbështetur në parashikimet e bëra deri më tani, rezulton se filmi shqiptar, jo vetëm që nuk hyn në pesëshen e ngushtë, por as në dhjetëshe. Filmat për të cilët fliten se do të garojnë për “Oskar” këtë vit janë “Where Do We Go Now?” (Liban), “Le Havre” (Finlandë), “A Separation” (Iran), “In Darkness” (Poloni), “Miss Bala” (Meksikë), për të vijuar me filmat që përfaqësojnë Francën, Izraelin, Kanadanë, Gjermaninë dhe Kinën. Por jo gjithmonë parashikimet janë të sakta. Mund të ndodhë që kandidatët të jenë tërësisht të tjerë, pse jo dhe filmi shqiptar…
© Panorama.alKandidatët për “Golden Globe”
Filmi më i mirë dramatik
“The Descendants”
“The Help”
“Hugo”
“The Ides of March”
“Moneyball”
“War Horse”Aktorja më e mirë dramatike
Glenn Close, “Albert Nobbs”
Viola Davis, “The Help”
Rooney Mara, “The Girl With the Dragon Tattoo”
Meryl Streep, “The Iron Lady”
Tilda Swinton, “We Need to Talk About KevinAktori më i mirë dramatik
George Clooney, “The Descendants”
Leonardo Di Caprio, “J. Edgar”
Michael Fassbender, “Shame”
Ryan Gosling, “The Ides of March”
Brad Pitt, “Moneyball”Filmi më i mirë komedi dhe muzikor
“50/50”
“The Artist”
“Bridesmaids”
“Midnight in Paris”
“My Week With Marilyn”Regjisori më i mirë
Woody Allen, “Midnight in Paris”
George Clooney, “The Ides of March”
Michel Hazanavicius, “The Artist”
Alexander Payne, “The Descendants”
Martin Scorsese, “Hugo”Skenari më i mirë
Woody Allen, “Midnight in Paris”
George Clooney, Grant Heslov, Beau Willimon – “The Ides of March”
Michel Hazanavicius – “The Artist”
Alexander Payne, Nat Faxon, Jim Rash – “The Descendants”
Steven Zaillian, Aaron Sorkin – “Moneyball”Aktorja më e mirë në komedi dhe muzikal
Jodie Foster, “Carnage
Charlize Theron, “Young Adult”
Kristen Wiig, “Bridesmaids”
Michelle Williams, “My Week With Marilyn”
Kate Winslet, “Carnage”Aktori më i mirë në komedi dhe muzikal
Jean Dujardin, “The Artist
Brendan Gleeson, “The Guard”
Joseph Gordon-Levitt, “50/50”
Ryan Gosling, “Crazy, Stupid, Love.”
Owen Wilson, “Midnight in Paris”











