Fituesi i zgjedhjeve paraprake të Nju Hampshajër, SHBA, për kandidatin republikan që do të garojë në presidenciale kundër Barak Obamës, ishte sërish Mit Romnej, ish-guvernatori i Masaçusetsit. Romnej fitoi rreth 40 për qind të mbështetjes në këtë shtet, ndërsa kongresmeni i Teksasit, Ron Paul, u rendit i dyti me 23 për qind të votave dhe ish-guvernatori i Utah, Xhon Hantsmen, i treti me 17 për qind. Ai që ishte konsideruar si garuesi më i fortë pas Romnejt, Rik Santorum, po garon me Neut Gingriç se cili do të renditet i katërti me më pak se 10% të votave. Ndërsa kandidati Rik Perri ka marrë me pak se 1 për qind të mbështetjes. Të gjithë ata do të marrin pjesë në zgjedhjet e shtetit të Karolinës së Jugut, më 21 janar, ku sërish favorit shihet Romnej. Votimet shtet pas shteti për kandidatët republikanë do të vazhdojë deri në gusht, kur të mbahet Konventa e Republikanëve që do të vendosë emrin zyrtar që do të sfidojë Obamën.











