Kanabisi në banesën e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Policia: Arrestohet faturisti i energjisë elektrike, në kërkim 4 të tjerë (EMRAT + VIDEO)

Mar 20, 2026 | 15:34

Një person ka rënë në pranga dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim në lidhje me drogën e gjetur një ditë më parë në një banesë të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.

Policia beri me dije se në pranga u vu 23-vjeçari Erion Dogovelli, faturisti i energjisë elektrike, dhe ndaj tij rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës. Në kërkim janë shpallur Romario dhe Ernest Hasa, të afërm me njëri-tjetrin, të cilët dyshohen si autorë të kanabisit.

Romario Hasa është vëllai i drejtorit të burgut të Rrogozhinës që u dorëzua një ditë më parë në polici, por u lirua ditën e sotme pasi nuk kishte lidhje me drogën.

LEXO EDHE: Iu gjetën katër mijë rrënjë kanabisi në banesë, lirohet drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa! Në kërkim i vëllai

Romario dhe Ernest Hasa, 30 dhe 24-vjeç, akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike. Ndaj 24-vjeçarit rëndon edhe akuza e prodhimit dhe shitjes pa leje të armëve të ftohta.

Droga u gjet në Peqin, në një ambient nëntokësor të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. Në të u konstatuan 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë e fidanë kanabis, si dhe pajisje të shumta elektrike që shërbenin për këtë veprimtari kriminale.

Sa i përket drejtorit të burgut të pezulluar Bilal Hasa, policia thotë se nga hetimet rezultoi se ambientet ku u konstatua kanabisi janë në pronësi dhe në administrim të vëllait të tij, Romario Hasa dhe se ai nuk rezulton i implikuar.

Njoftimi i policisë:

Peqin/Vijojnë hetimet në kuadër të operacionit policor të koduar “Kurtaj”.

Vihet në pranga 1 shtetas për “Shpërdorim detyre” dhe shpallen në kërkim 2 autorë të dyshuar (të afërm me njëri-tjetrin), si dhe 2 shtetas të tjerë për “Shpërdorim detyre”.

Sekuestrohen 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë narkotike kanabis, një pjesë e të cilave u asgjësua me anë të djegies.

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në kuadër të operacionit “Kurtaj”, i zhvilluar në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, Bashkia Peqin, strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, kanë vijuar veprimet hetimore dhe verifikuese.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se, në këtë ambient nëntokësor të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, janë konstatuar 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë e fidanë të dyshuar kanabis, si dhe pajisje të shumta elektrike që shërbenin për këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi
E. D., 23 vjeç, banues në Gjocaj, Peqin, me detyrë faturist i energjisë elektrike, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:

-R. H., 30 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pronar i ambienteve ku u gjetën bimët narkotike;

-E. H., 24 vjeç, banues në Kurtaj (i afërm i shtetasit R. H.), i dyshuar për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

-E. M., 36 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

-D. E., 34 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të tyre.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisje dhe materiale të përdorura për këtë veprimtari kriminale, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua me anë të djegies.

Në lidhje me informacionin e dhënë ditën e djeshme, ku u shpallën në kërkim shtetasit B. H. dhe E. M., sqarojmë se shtetasi B. H, u paraqit vetë pranë strukturave të Policisë.

Nga veprimet hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë rezultoi se ambientet ku u konstatua veprimtaria kriminale janë në pronësi dhe në administrim të vëllait të tij, shtetasit R. H.

Në vijim, shtetasi B. H, është lënë i lirë, pasi nuk rezulton i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, hetimet vijojnë me intensitet të lartë, me qëllim grumbullimin dhe dokumentimin e çdo prove që lidhet me këtë veprimtari kriminale, si dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

© Panorama.al

Te lidhura