Kamza mund Vllazninë, Bylisi barazon në Laç

Sep 17, 2011 | 12:38

Kamza fiton në ndeshjen e parë në Superiore të zhvilluar në fushën e vet ndaj Vllaznisë, ndërsa Laçin e shpëton një penallti nga humbja në fushën e vet ndaj Bylisit. Java e dytë e Superiores nisi dje me dy sfida, ku ajo në Kamzë kishte edhe një vlerë historike. Vendësit luanin ndeshjen e tyre të parë në elitë, ndaj u munduan me shpirt për të marrë tri pikë të plota. Në fakt, edhe një gabim fatal i portierit të shkodranëve, Miroslav Vujadinoviç, i cili i dha mundësi sulmuesit të Kamzës, Eleandro Pema, që të shënonte golin e parë të bluve, ndihmoi që skuadra e Ernest Gjokës të merrte fitoren e parë. Por, duhet thënë se vendësit u ndihmuan edhe nga shpërdorimet e pafundme të dyshes Sukaj-Vajushi, në linjën e sulmit shkodran. Ndeshja nisi e vrullshme me raste nga të dyja skuadrat, por më e rrezikshme u shfaq Vllaznia me anë të Sukajt. Sulmuesi provoi dy herë portën e mbrojtur nga portieri Bytyçi, por në të dy rastet gaboi marrëzisht. Rasti më i mirë i 45 minutave të para ishte kur mbrojtësi malazez, Petroviç, i ardhur në ndihmë të sulmit devijoi një top të ardhur nga goditja e këndit, i cili u përplas në shtyllën e kamzalinjëve, duke krijuar panik. Por, vetëm kaq ama. Në fraksionin e dytë të lojës janë vendësit ata që marrin iniciativën dhe pa kaluar as dy minuta lojë e shikojnë vetën në avantazh. Goli u dha besim kamzalinjëve, të cilët ditën sesi të mbronin rezultatin deri në fund të takimit. Në ndeshjen tjetër më shumë se për barazimin e kurbinasve, mund të flitet për një “vetëvrasje” të miqve nga Ballshi, të cilët shkuan dy herë në avantazh, por nuk arritën që të merrni pikë të plota. Dimo dhe Gega për miqtë, dhe Dragiçeviç e Trajkoviç për vendësit ishin autorët e 4 golave.

DINAMO NË KAOS, S’DI KU DO TË LUAJË
Pavarësisht se Dinamo vazhdon përgatitjet për ndeshjen me Skënderbeun, drejtuesit ende nuk e kanë përcaktuar një stadium. Edhe pse më parë nga dinamovitët ishte caktuar që takimi ndaj kampionëve do të luhej në “Selman Stërmasi”, në orën 15:00, një gjë e tillë me gjasa nuk do të ndodhë. Kjo për shkak se të drejtat televizive të bluve menaxhohen nga “Supersport”, dhe fakti që takimi do transmetohet direkt ka bërë që orari të ndryshojë. Por, nga ana tjetër, drejtuesit e “Qemal Stafës” kanë konfirmuar se nuk marrin përsipër ndriçimin për këtë ndeshje.

SUPERIORE/ JAVA 2
Kamza-Vllaznia 1-0
Shënues: Pema 47′
Laçi-Bylisi 2-2
Shënues: Dragiçeviç 75′, Trajkoviç 84′ (p)/
Dimo 19′, Gega 82′
Sot, ora 16:00
Kastrioti-Tirana
Shkumbini-Apolonia
Pogradeci-Tomori
Sot, ora 18:00
Teuta-Flamurtari
Nesër, ora 16:00
Dinamo-Skënderbeu

RENDITJA
Nr. Ekipi ND F B H P

1. Bylisi 2 1 1 0 4
2. Kastrioti 1 1 0 0 3
3. Apolonia 1 1 0 0 3
4. Vllaznia 2 1 0 1 3
5. Flamurtari 1 1 0 0 3
6. Teuta 1 1 0 0 3
7. Kamza 2 1 0 1 3
8. Skënderb 1 0 1 0 1
9. Tomori 1 0 1 0 1
10. Laçi 2 0 1 1 1
11. Tirana 1 0 0 1 0
12. Dinamo 1 0 0 1 0
13. Shkumbi 1 0 0 1 0
14. Pogradec1 0 0 1 0

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura