Kallëzimet, sektorët me rrezik për korrupsionin

Sep 20, 2011 | 12:32

Investimet publike, prokurimet dhe zbatimi i projekteve janë fushat e vlerësuara me rrezikshmëri të lartë për fenomenin e korrupsionit, sipas statistikave të Prokurorisë për vitin 2010-2011. Sipas treguesve për natyrën e kallëzimeve që mbërrijnë në Prokurori, numri më i lartë i tyre ka evidentuar si fusha me rrezikshmëri më të lartë për shfaqjen e krimit ekonomik dhe korrupsionit investimet publike, prokurimet dhe zbatimi i projekteve me fonde publike. Më tej, renditen mbledhja e të ardhurave tatimore dhe doganore, koncesionet dhe administrimi i investimeve me financime të huaja, rregullimi i territorit, regjistrimi i pronës etj. Sipas të dhënave të Prokurorisë për vitin që shkoi dhe 6-mujorin e këtij viti, mësohet se këtë e dëshmon fakti se shumica e kallëzimeve që janë depozituar në Prokurori dy vitet e fundit, janë bërë për zbulime të shkeljeve me pasojë dëm ekonomik në këto fusha dhe kryesisht për konsumim të veprave penale si “shpërdorim i detyrës”, “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera e ankande publikë”, “vepra penale në fushën e tatimeve”, “falsifikimi i dokumenteve”. Që nga viti 2007, në Prokurori janë ngritur dhe funksionojnë njësitë e hetimit të krimit eko-nomik dhe korrupsionit. Ngritja e strukturave të tilla është bërë me mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së, ndërsa pjesë e organikës së këtyre sektorëve janë bërë Policia, Shërbimi Informativ, Tatimet dhe Doganat. Të gjitha këto shërbime janë vendosur nën urdhrat e Prokurorisë për kryerjen e hetimeve që kanë të bëjnë me krimin ekonomik dhe korrupsionin.

© Panorama.al

Te lidhura