Kalimash, vdesin dy minatorë

Sep 14, 2011 | 10:58

Një aksident i rëndë në nëntokën e Kalimashit shkaktoi dje vdekjen e dy minatorëve dhe plagosjen e një tjetri. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:30, në sektorin e Keçlit, në minierën e Kalimashit.Vetëm në në orët e vona të mbrëmjes, trupat e dy viktimave janë nxjerrë nga thellësia 400 metër e galerisë. Viktimat janë Besnik Halili, 55 vjeç, nga fshati Bushat i komunës Bicaj, si dhe Xhezahir Sulmata, 33 vjeç, nga fshati Mamëz. Ata humbën jetën, kur një shkëmb i madh është shkëputur nga tavani i galerisë dhe i ka zënë poshtë. Shkëmbi ka lënë të plagosur edhe Albert Sulmatën, 23 vjeç, nga fshati Mamëz i Kukësit. Ai u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Kukësit, i gjymtuar dhe, pas ndihmës së parë, është nisur me helikopter për në Tiranë. Forca të shumta të Policisë së Kukësit dhe kolegë të minatorëve kanë shkuar deri në afërsi të shkëmbit që ndodhet sipër viktimave por, megjithëse trupat e tyre shiheshin poshtë masivit, ishte e pamundur nxjerrja. Mësohet se është punuar për disa orë me radhë për shkërmoqjen e shkëmbit me qëllim nxjerrjen e trupave. Vetëm në orët e mbrëmjes, është arritur nxjerrja në sipërfaqe e tyre. Sipas të dhënave të para për këtë aksident të rëndë, shkak është shkëputja e masivit shkëmbor në minierën e braktisur, ku mungojnë kushtet e sigurisë në punë. Viktimat nuk janë nga fshati Kalimash, por nga fshatra të tjera, të cilët për të siguruar bukën e gojës, punësohen në miniera me rrezikshmëri të lartë për jetën e tyre. Nxjerrja e kromit në minierat e rajonit të Kukësit ka shkaktuar viktima të shumta. Organet vendore kanë kërkuar disa herë që të disiplinohet puna në këto miniera të braktisura që po marrin jetë njerëzish, por ende nuk ka një rregull me forcën e ligjit të punës nën tokë. Kukësi është një ndër rajonet më të pasura me mineralin e kromit, shumë i kërkuar në tregun ndërkombëtar. Dikur, në këtë industri, vetëm në Kukës ishin të punësuar 17 mijë punëtorë.

MINIERA
Minierat në Kalimash i janë dhënë me koncesion firmës “IMI”, një firmë kinezo-turke. Por shteti nuk ka dhënë lejet e shfrytëzimit, kështu që pronarët e kanë shfrytëzuar këtë fakt duke punësuar hallexhinj. Nëse firmat do të ushtronin të drejtën e shfrytëzimit dhe nxjerrjes së mineralit, atëherë kushtet e punës do të ishin shumë më të mira dhe do të kishte përgjegjësi ligjore për aktivitetin, duke shmangur punën e zezë.

3 viktima
shkaktoi dje aksidenti në minierën e Kalimashit, nga të cilët dy minatorë gjetën vdekjen, ndërsa një 23-vjeçar u plagos rëndë dhe është dërguar për trajtim të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë

VIKTIMAT
Nxjerrja e kromit në minierat e rajonit të Kukësit ka shkaktuar viktima të shumta. Janë 20 të vdekur dhe shumë të plagosur në rajonet e Kalimashit, Golajve në Has dhe në rajonet minerare të Tropojës gjatë këtyre viteve. Por, me gjithë situatën e krijuar dhe numrin e lartë të viktimave, ende nuk janë marrë masa për të siguruar kushtet në të cilat minatorët janë të detyruar të punojnë për të siguruar bukën e fëmijëve të tyre.

© Panorama.al

Te lidhura