Kajro në flakë, rikthehet “Pranvera arabe” në Egjipt

Nov 21, 2011 | 9:24

Kjo, që pas vendimit të Gjykatës së Kajros për të lejuar anëtarët e partisë së Mubarakut, kundër politikave të të cilëve ata luftuan, që të garonin në zgjedhjet e nëntorit. Po ashtu edhe kundër gjasave se ushtria kërkon vetëm të forcojë pozicionin e saj. “Pranvera Arabe”, emri me të cilin u pagëzuan protestat në mbarë Lindjen kundër liderëve autokratë, u rikthye në Kajro, e kësaj radhe populli po proteston kundër gjeneralëve. Dje ishte dita e dytë e protestave dhe përleshjeve të dhunshme mes policisë dhe protestuesve, protesta më e madhe që pas rrëzimit të Presidentit Hosni Mubarak. Tendat e protestuesve që u vendosën gjatë natës në sheshin “Tahrir” u dogjën nga policia. Të paktën tre persona kanë humbur jetën. Dhjetëra të tjerë janë plagosur dhe shumë janë arrestuar. Sipas Valed Rashed, themelues i lëvizjes 6 prilli, Bothaina Kamel, kandidate për presidente, është arrestuar. Në shesh, protestuesit kanë marrë peng katër ushtarë. Kryeministri Esam Sharaf ka thirrur një mbledhje emergjente të ekzekutivit për të menaxhuar krizën, ku u vendos që zgjedhjet presidenciale të mbahen më 28 nëntor, me gjithë rrëmujën. Asnjë anëtar i qeverisë nuk e ka dhënë dorëheqjen. Komunikata e qeverisë ishte se “ajo që po ndodh ka si synim vetëm anulimin e zgjedhjeve dhe pengesën për të krijuar institucione të një shteti demokratik”. Protestat zhvilloheshin herë pas here në Egjipt nga parashikimet e organizuesve të demonstratave, se junta ushtarake nuk do të ishte aq demokratike sa hiqej dhe se reformat e premtuara prej tyre po vonoheshin. Tashmë, të gjithë kanë dalë nëpër sheshe duke goditur me gurë. Protestuesit që dikur kërkonin të rrëzonin Mubarakun, tashmë e kanë kthyer urrejtjen e tyre kundër gjeneralëve dhe kreut të juntës ushtarake, Husein Tantavi. Egjiptianët kërkojnë edhe tërheqjen e propozimeve për ndryshime kushtuese nga autoritetet ushtarake, pasi qeveria kërkon të shpallë ushtrinë si “gardianin e legjitimitetit kushtetues”. Kjo do të thotë se forcat e armatosura do të kenë fjalën e fundit në politikat kryesore edhe pas zgjedhjes së presidentit. Shumë egjiptianë besojnë se ushtria kërkon të përfitojë më shumë pushtet. Protestuesit u shpërndanë të shtunën me forcë nga policia, e cila përdori gazin lotsjellës, plumbat prej gome dhe presionin me të shtëna në ajër me plumba të vërtetë. Kjo nuk i ndaloi protestuesit të riktheheshin edhe dje në sheshin “Tahrir”, simbol i rezistencës kundër regjimit.

© Panorama.al

Te lidhura