Shtëpia njëdhomëshe? Përvojë e re konceptuale në Tiranë Kujt i kishte rënë rasti pak ditë më parë të kalonte nga Galeria Kombëtare e Arteve, nuk mund t’i shpëtonte nga vëmendja shtëpia e vogël klasike, që prej disa ditësh kishte zënë vend aty. Indiferentët mjaftoheshin vetëm me një mimikë habie të fytyrës, ndërsa të tjerë, shumica, afroheshin, bashkë me një ndjesi frike, për të pyetur se ç’kishte në të. Kur të zonjat e shtëpisë i mirëprisnin brenda për të parë punët e ekspozuara brenda asaj “dhome”, reagimi i parë ishte ngurrimi. Thuajse refuzonin, derisa nga dera gjysmë e hapur mund t’u zinte syrin cepin e një fotografie a pikture që i jepte imazh krejt tjetër shtëpisë. Darka atmosfera ndryshonte. Dritat përreth, muzika e pianistit Johannes Marian apo ajo e jazz-it nga Ryan Langer Trio, dhe gjithë ajri i krijuar aty, nuk të linte më indiferent. Të gjithë ktheheshin për të parë se ç’po ngjiste. Asgjë më shumë se ç’ishte e parashikuar, e jo vetëm në Tiranë, por ngado që stacionohet kjo dhomë që tërheq sytë, e pagëzuar “Long Live Albanistan!”. Për stacionin e Shqipërisë, është kujdesur të ndalojë Julia dhe Emi Aliçka. E para, e bija e ambasadorit të Shqipërisë në Francë, Ylljet Aliçkës, është kuratore për këtë galeri lëvizëse dhe ndërkaq pjesëtare e grupit gjermano-shqiptar, që ka krijuar bashkë me të vëllain, Jonin e që e kanë quajtur “Aliçka Problem”. Kushërira e saj, Emi, është pianiste në Vjenë. Fondacioni “Ulysses”, krijesë e të cilit është edhe ky aktivitet, u themelua në vitin 2006, duke pasur si qëllim të parë shkëmbimet kulturore mes artistësh europianë dhe shqiptarë, si dhe partnerizimin e institucioneve kulturore dhe mbështetjen e tyre në formë materiale apo mësimdhënieje. Aktiviteti kryesor është organizimi i Festivalit Mozaik, javë e kulturës austriake që konsiston në një sërë koncertesh, ekspozitash dhe kursesh me studentet e Akademisë së Arteve, Liceut Artistik në Durrës, si edhe atë në Shkodër. Në kuadrin e asaj jave, u dhuruan instrumente të ndryshme, bursa verore për studentët, partitura, koleksione videosh dhe cd-sh etj.
HISTORIA E SHTËPISË NJËDHOMËSHE
Shtëpia njëdhomëshe është një koncept ekspozicioni i përkohshëm dhe fleksibël, i cili është instaluar deri tani nëpër qytete të mëdha në Gjermani. Shtëpia njëdhomëshe është një vepër arti, që njëkohësisht mirëpret vepra të tjera arti në të. Kjo galeri lëvizëse ka ndaluar nëpër stacione të ndryshme dhe, pas një aventure me shumë peripeci, arriti të instalohet në mjediset e Galerisë Kombëtare në Tiranë, ku shërbeu për të mikpritur instalacione, ekspozita dhe aktivitete të javës “Mozaik”. “Me këtë ekspozitë nuk kam dashur të reduktoj imazhin e Shqipërisë duke i deformuar emrin, por ndodh pikërisht e kundërta. Ky titull ironizon imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë. Ajo mitizon pikturën e një vendi të largët jo-ekzistues, duke e kthyer atë në një abstraksion të vërtetë. Artistët që marrin pjesë në të, Alketa Xhafa, Heldi Pema dhe Shpend Bengu kanë pasur përvojën tyre në Europë, ku kanë jetuar dhe prodhuar, prandaj i ka pëlqyer ideja groteske e përkthimit të parullës “Rroftë Shqipëria!” në “Long Live Albanistan!”. E njëjta linjë ndiqet edhe në ekspozitat e tjera, si për shembull ajo me artistët gjermanë, e titulluar “Ngjyra, ëndrra dhe konflikte” apo ajo me artistët francezë dhe austriake “Ëndrra, fabula dhe logjika”, në të cilat luhet me linjën e hollë mes abstraktes dhe reales”, thotë Julia.











