“Jemi 4 ditë larg nga ndarja e epokave” – Berisha në Korçë: Pas diktaturës staliniste, patëm një aksident! Përjetuam 12 vite narko-diktaturën

May 7, 2025 | 18:16

Kreu i PD-së Sali Berisha ishte pasditen e sotme në Korçë për mitingun përmbyllës elektoral për zgjedhjet e 11 majit në këtë qytet.

berisha korce

Berisha theksoi edhe një herë se më 11 maj, ndahen dy epoka.

Sipas tij, pas diktaturës staliniste, Shqipëria përjetoi një aksident këto 12 vite me narko-diktaturën.

Berisha: 4 ditë na ndajnë nga një ditë e cila në të vërtetë, për ne shqiptarët ndan dy epoka. Ndan epokën në të cilën një popull i vuajtur në diktaturën më staliniste në rrugën drejt lirisë patëm një aksident, përjetuam 12 vite narko-diktaturë. Një regjim që bëri gjithçka të shtypë pluralizmin, opozitën, për të plaçkitur korçarët dhe shqiptarët. Bëri çdo gjë për t’i përzënë nga vendi i tyre.

Çdo korçar i mençur do të gjejë se Korça nga një vend  shprese, nga një qytet i mrekullueshëm, i famshëm për dhuntitë e veta, kulturën, artdashjen, shpirtin punëtor, pastërtinë. Fermerët e Korçës burra dhe gra ndër më efiçientët në 12 vite u larguan nga Korça, Erseka, Pogradeci si kurrë në historinë e tyre. U larguan jo se nuk donin Korçën, Pogradecin apo Devollin. Me pasuritë e kësaj treve, me liqejtë mahnitës, me fermerët më të zotët, me intelektualët më të shquar, me artistët, këngëtarët, elitën e saj, Korça është vetëm për t’u admiruar. Ata u larguan se nga viti në vit rënia ekonomike u bë e madhe. Çmimet u rritën, vendet e punës u mbyllën.

© Panorama.al

Te lidhura