Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, ka deklaruar se skandali i famshëm Watergate, që çoi në dorëheqjen e presidentit Richard Nixon në vitin 1974, nuk do të kishte të njëjtin ndikim nëse do të ndodhte në ditët e sotme.
Gjatë një fjalimi në Bibliotekën dhe Muzeun Presidencial Richard Nixon në Kaliforni, Vance e cilësoi si “çmenduri” faktin që Watergate rrëzoi një president, duke argumentuar se klima aktuale mediatike është krejt ndryshe.
“Mendoj se trashëgimia e Richard Nixon ka nevojë për një lloj rehabilitimi dhe besoj se ia vlen. Nëse Watergate do të ndodhte sot, nuk do të ishte lajm për më shumë se 12 orë. Ideja që një skandal i tillë rrëzoi një presidencë është çmenduri”, u shpreh Vance.
Zëvendëspresidenti amerikan, i cili konsiderohet një nga emrat potencialë për kandidaturën republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, nxiti reagime të menjëhershme me deklaratat e tij.
David Axelrod, komentator politik pranë Partisë Demokratike, kritikoi ashpër qëndrimin e Vance në një reagim në platformën X, duke thënë se këto komente “flasin shumë për rënien morale dhe etike të epokës Trump”.
Skandali Watergate nisi në vitin 1972, kur pesë persona u arrestuan pasi hynë në mënyrë të paligjshme në selinë e Partisë Demokratike në kompleksin Watergate në Uashington. Hetimet e mëvonshme të gazetës The Washington Post zbuluan një rrjet të gjerë spiunazhi politik dhe një përpjekje për fshehjen e ngjarjes, e organizuar në nivelet më të larta të Shtëpisë së Bardhë.
Përballë kërcënimit të procedurave për shkarkim nga Kongresi, Richard Nixon dha dorëheqjen në vitin 1974, duke u bërë presidenti i parë dhe i vetëm në historinë e SHBA-së që largohet nga detyra në këtë mënyrë.
© Panorama.al












