“Janë përpjekur të më përjashtojnë dhe pse kam bërë burg për partinë” – Salianji: Reforma Territoriale? PD duhet të ulet me propozimin e vet! S’mund të presë zgjidhje nga Rama

Feb 11, 2026 | 22:02

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ironizoi lidershipin e PD-së teksa tha se është munduar ta përjashtojnë, edhe pse ka bërë burg për partinë dhe ka fituar në zonat elektorale ku ka kandiduar përballë PS.

salianjiii

I ftuar në “Oponencë” në News 24, Salianji theksoi nevojën për të vënë në “shina” PD-në dhe më pas të mbahet një garë, që kush është i zoti, le të fitojë.

“Do bëj çdo përpjekje që ata që kanë qëndrim publik dhe janë opozitarë të kenë mundësi të përfshihen në PD. Ka qëndresë por kur po përpiqen të më nxjerrin jashtë mua që kam bërë burg për PD dhe kam fituar çdo garë përballë Ramës, padiskutim që e bëjnë me çdo njeri. Aty ka njerëz që shohin vetëm interes personal dhe po them që të vëmë këto shina në PD, të vendosim një pistë disa kushte për garën dhe kush është i zoti të ecë.”, tha ai.

Ai u shpreh kritik edhe te qasja për bojkotin e Komisionit të Reformës Territoriale dhe më pas uljen në tavolinë me socialistët, teksa e cilësoi si një “paqartësi strategjike” që sipas tij po ndjek Partia Demokratike. Salianji theksoi se PD duhet të ishte ulur në tryezë me një propozim të vetin, dhe jo të presë një zgjidhje nga partia e Ramës sepse nuk do të ndodhë kurrë.

Sipas tij, opozita duhet të propozojë një ndarje territoriale të “ofruar” nga njerëzit, që duhet të jetë diku te 100 bashki.

“Të mbledhë gjithë ekspertët e vet, ish kryetarët e bashkive dhe komunave dhe të bëjë propozimin konkret të bashkive. Arsyeja pse u bë reforma në 2014 ishte të shkurtohej numri i punonjësve se ishin joefikas dhe sot ka shkuar kacafiu se përdoren elektoralisht. Të bëjmë një ndarje elektorale siç na propozojë njerëzit. Të kemi propozimin tonë që mund të jetë diku te 100 bashki. Ne në opozitë kemi alternativën. Për ca ulemi ne. Ne me Edi Ramën nuk e zgjidhim kurrë. Sidomos pas rastit të Avokatit të Popullit, ku dolën të gjithë se nuk ulemi me Ramën, tani ulemi. Kjo tregon paqartësi strategjike.”, tha ish deputeti.

© Panorama.al

Te lidhura