Ja si përgjoheshin Fergusoni e Murinjo

Nov 10, 2011 | 9:54
Ferguson dhe Mourinjo

Një detektiv privat në Angli ka pranuar se i kontaktuar nga ish-tabolidi “News of the World”, ai ka spiunuar për 8 vite me radhë emrat më të njohur të futbollit ishullor, përfshirë dhe Aleks Fergusonin e Zhoze Murinjon. Ish-oficeri i policisë, Derek Ueb, u rrëfye në programin “Newsnight” të BBC-së se ai kishte përgjuar më shumë se 100 figura të njohura publike për 8 vjet me radhë, deri në muajin korrik, kur u mbyll dhe tabloidi i famshëm i manjatit të medias Rupert Murdok. Në listën prej 153 emrash të spiunuar nga Ueb, janë edhe ato të princit William, kryebashkiakut të Londrës, Boris Xhonson dhe artistëve Pol MekKartni, Anxhelin Zholi dhe Sajmon Kouell. Murinjo është përgjuar në vitet kur drejtonte klubin e Çelsit. Ish-polici pohoi se ai kishte punuar me kohë të plotë për “News of the World” nga viti 2003-2008, ndërsa puna e tij e pjesshme me tabolidin kishte vazhduar derisa revista e famshme vendosi të mbyllej përfundimisht këtë verë. “Ka qenë një periudhë shumë intensive në punën time. Nuk e dija kurrë se çfarë do të më kërkonin. Ata (News of the World) më telefononin në çdo moment gjatë 24 orëve. Nuk bënin dallime as se ishte mëngjes, as se ishte natë”, deklaroi Ueb. Hetuesi privat tha se 90% e objektivave të tij ishin personazhe të njohur dhe politikanë.

© Panorama.al

Te lidhura