
Komisioni i Disiplinës ka shtyrë për herë të dytë vendimin për incidentin e rëndë në ndeshjen e javës së 30-të, Laçi-Flamurtari.Por sipas të gjitha të dhënave, vlonjatëve nuk do t’u jepen tri pikët në tavolinë. Disiplina ka vendosur që vetëm sot të mblidhet dhe të shprehet mbi këtë çështje, duke e justifikuar me faktin se ka shfrytëzuar në maksimum afatin pesëditor që u kishte kërkuar inspektorëve të FSHF-së për hetimin deri në detaje të këtij incidenti. Ndërkaq, çdo vendim që do të marrë Disiplina, do të provokojë në festë, protestë, por edhe kaos. Dy javë nga fundi i kampionatit, me një Skënderbe katër pikë para Flamurtarit, një mosdhënie e fitores në tavolinë për vlonjatët do të thoshte se korçarët do të ishin praktikisht kampionët e rinj.
Federata – Dje, portieri i Flamurtarit Shpëtim Moçka është marrë në pyetje rreth orës 13:00-14:00 në ambientet e Federatës nga ana e zyrtarëve të kësaj të fundit lidhur me këtë incident. Pasi është pyetur deri në detaje, ai është larguar nga federata duke lënë edhe një prononcim të shkurtër për mediat. Disa orë më vonë, (rreth orës 19:30) çuditërisht Federata Shqiptare ka dalë me një prononcim ku ka pohuar se lojtari i Flamurtarit nuk kishte pranuar që t’u nënshtrohej testeve mjekësore. Pikë së pari deklarata e vonë në kohë lë shumë për të dëshiruar dhe dyshuar njëkohësisht, pasi lojtari ishte i pranishëm për gati një orë në FSHF dhe atij mund t’i ishin bërë të gjitha testet dhe ekzaminimet e nevojshme. Nga ana tjetër ky shihet si një “driblim” nga ana e Disiplinës dhe Federatës për të mos i dhënë tri pikët në tavolinë, që pas kësaj deklarate me 99.99 për qind nuk do ti jepen skuadrës së Flamurtarit.
Problematika – Por një tjetër problem në rastin konkret është se me shtyrjen deri në limite të dhënies së këtij vendimi nga Disiplina, krijohet një kaos i vërtetë. Arsyeja: Superiorja luan nesër ndeshjet e javës së 32-të dhe minimalisht, KF Laçit do t’i duhej më shumë kohë për të gjetur një fushë, nëse do të ndëshkohej (merren parasysh të gjitha variantet) me zhvillim të ndeshjeve në fushë asnjanëse. Teksa sot pasdite Komisioni do të zbardhë vendimin, në rast se kurbinasit do të dënohen me zhvillim të ndeshjeve në fushë asnjanëse, sikundër parashikon neni 66 i Kodit të Drejtësisë Sportive, atëherë do të ishte e vështirë që drejtuesit të gjenin një fushë në harkun e pak orëve (brenda natës) për të zhvilluar ndeshjen me Besën (kjo natyrisht pasi të ishte rënë dakord edhe me kavajasit). Paçka se edhe në këtë rast, burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se laçianët kanë filluar që dje të mendojnë për një fushë ku do të luajnë me Besën. Por edhe në këtë rast, kjo gjë provokon dyshime mbi vendimin e Disiplinës, pasi do të thotë që gjithçka është vendosur që më parë dhe mbledhja e sotme do të ishte thjesht një zbardhje e një vendimi, marrë jo më në tavolinën e anëtarëve të Komisionit.
Moçka
Portieri i Flamurtarit ka reaguar pas marrjes dje në pyetje nga inspektorët e FSHF-së. “Në Laç nuk më dhanë asnjë ndihmë, por sikur të mos mjaftonte kjo dyshojnë edhe nëse jam goditur vërtetë ose jo. Kjo është absurde, sepse aty ka qenë fare afër edhe arbitri anësor”, ka thënë Moçka. Ndërkohë, sa për pyetjet e inspektorëve, portieri ka treguar një nga momentet që e ka befasuar më tepër: “Më thanë se përse nuk i kisha vënë duart mbrapa kokës kur isha dëmtuar, por i kisha vënë duart në fytyrë. Ua thashë ti shikonin edhe njëherë pamjet, ku duket qartë se unë duart i kam në kokë, por ata me sa duket nuk dinin ku të kapeshin”, ka pohuar lojtari dje pasi është marrë në pyetje nga inspektorët e FSHF-së.
Tifozët vlonjatë: Bllokojmë rrugën në urën e Mifolit
Bllokim të rrugës që të çon drejt Vlorës në afërsi të urës së Mifolit, nëse Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk do të shprehet sot në vendimin e vet në favor të skuadrës së Flamurtarit. Kjo është pak a shumë ajo çka proklamuan dje drejtues të tifozëve të Flamurtarit, të mbledhur në një protestë para stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. “Komisioni me mendje të kthjellët duhet t’i japë tre pikët në tavolinë Flamurtarit, në të kundërt, ne do të marrim masa deri në bllokimin e urës së Mifolit”, është shprehur Agron Sinani, kryetari i shoqatës së tifozëve, “Dragonjtë kuqezi”. Më shumë se 50 tifozë të skuadrës vlonjate kanë protestuar dje përpara stadiumit, ku kanë hedhur parulla ndaj drejtuesve të FSHF-së, presidentit të Skënderbeut, Agim Zeqo dhe kapitenit të kësaj skuadre, Blendi Shkëmbi. Më tej, tifozët kanë kërkuar që ta zhvendosnin protestën para dyerve të FSHF-së, por nuk janë lejuar nga policia, sipas së cilës, leja për këtë veprimtari ishte marrë vetëm për këtë zonë. Faktikisht, tifozët ishin pajisur me një leje për protestë, dhënë nga Drejtoria e Policisë së qarkut Tiranë, e cila do të niste në orën 13:00 dhe do të përfundonte në orën 14:00. Vendi i protestës ishte caktuar sheshi para stadiumit “Qemal Stafa”, kjo edhe për të mos krijuar bllokim të trafikut në një orë me mjaft lëvizje.
Ndeshjet e mbetura
JAVA e 32-të
Vllaznia-Flamurtari
Skënderbeu-Elbasani
Tirana-Bylis
Laçi-Besa
Dinamo-Teuta
Shkumbini-Kastrioti
JAVA e 33-të
Flamurtari-Skënderbeu
Bylis-Vllaznia
Besa-Tirana
Teuta-Laçi
Kastrioti-Dinamo
Elbasani-Shkumbini
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
1. Skënderbeu 31 22 4 5 70
2. Flamurtari 31 21 3 7 66
3. Vllaznia 31 16 8 7 56
4. Tirana 31 11 11 9 44
5. Laçi 31 13 5 13 44
6. Kastrioti 31 10 9 12 39
7. Dinamo 31 10 8 13 38
8. Teuta 31 10 8 13 38
9. Bylis 31 11 4 16 37
10. Besa 31 9 9 13 36
11. Shkumbini 31 10 6 15 36
12. Elbasani 31 4 3 24 12
Shënim: Elbasani, minus 3 pikë në renditje, i dënuar nga FIFA.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











