Ja këngëtarët që stonuan në “Top Fest 9”

Jun 10, 2012 | 13:59

Gara e “Top Fest 9” është finalizuar më 3 qershor, në një natë gala çmimesh që u organizua në Pallatin e Kongreseve dhe që u transmetua nga “Top Channel”. Mes atyre shumë që kënduan “live”, spektakli në vetvete pati elementet e vet të spektaklit nga këngëtarët që stonuan gjatë interpretimit të këngëve të tyre. Mes show-të të krijuar nga prezantuesit Ledion Liço dhe motrat Marina e Luana Vjollca, këngëtarë të ndryshëm patën fatin të merrnin kupat e kësaj nate, mes të cilëve më e lumturuara ishte këngëtarja nga Shkodra, Elhaida Dani, e cila fitoi “Top Fest 9” me këngën “S’je më”. Spektakli ishte i mbushur me surpriza dhe lançimit të këngëve, të veçuara pas një përzgjedhjeje të ndarë në tri faza, ndërkohë që mungoi Rita Ora, me të cilën nuk u arrit marrëveshja për ardhjen në Tiranë pasi nuk kishte datë bosh, për shkak të koncerteve që ajo ka këtë periudhë në Amerikë. Në listën e 18 të përzgjedhurve për finalen, disa nga këngëtarët e përzgjedhur stonuan në perfomancat e tyre, disa prej të cilëve u vlerësuan dhe me çmim. Vështirësi në të kënduar u vu re edhe tek fituesja Elhaida Dani, për të vazhduar me Xhensila Myrtezajn, Julkën, Klajdi Harunin, Jeta Faqollin etj. Disa prej tyre fituan dhe çmime, si çmimi “Best Female”, Xhensila Myrtezaj, “Best Pop”, Erik Lloshi, “Best Balade”, Argjentina Ramosaj, çmimi “Best Male”, Adrian Lulgjuraj, “Top Albania Radio”, Besa Kokëdhima, “Best Group”, grupi “Burn”, çmimi “Best rock alernative”, Nita Latifi, “Best hip-hop & RnB”, Stresi dhe Xheraldina, “Çmimi i Internetit”, Klajdi Haruni. Pjesëmarrja në “Top Fest” tashmë është kthyer në sfidë për këngëtarët nëse e përballojnë ose jo të kënduarin “live”. Mes këngëtarëve që e kaluan me sukses “live-n” ishin Gent Bushpepa, Devis Xherahu, Besa Kokëdhima, Argjentina Ramosaj, Erik Lloshi, djemtë e grupit “Burn”. Ndërkohë që shumë këngëtarë që pretendonin edhe çmime, nuk mundën dot të hynin në finale duke u shprehur të zhgënjyer në media. Mes tyre ishin: Nesti Duka, Ronela Hajati, Orgesa Zaimi, Kejsi Tola, Laura Nezha, Çiljeta, grupi “Lynx”, Yllka Kuqi.

Këngëtarët e “The Voice” s’kanë të sharë për zërin, por për mbipeshën
Marsela, Erika apo Lundrimi janë shfaqur në tapetin e kuq të “Top Fest 9” për herë të parë me sharmin e personazheve VIP, mes artistëve të tjerë të njohur. Por duke filluar nga Marsela Çibukaj, e cila ishte në finalen e “Top Fest”dhe e përballoi shumë mirë të kënduarin “live”, duket se disa prej këngëtarëve të këtij formati më shumë kurojnë zërin sesa linjat, pasi ende vazhdojnë të jenë mbipeshë. Në këtë garë të “Top Fest” morën pjesë edhe Enrika Derza, motrat Kumrija, Drilon Shala, por që nuk mundën dot të kalonin në finale. Në natën finale u performuan 18 këngë, mes të cilave u vlerësuan me trofe vetëm 10 këngë.

© Panorama.al

Te lidhura