Izraeli njoftoi se ushtria e tij po zhvillon një operacion në shkallë të gjerë në Gaza për të gjetur trupin e pengut të fundit, oficerit të policisë Ran Gvili, duke deklaruar se pika kufitare Rafah me Egjiptin do të rihapet vetëm pas përfundimit të këtij misioni.
Kjo deklaratë erdhi pasi kabineti izraelit po diskutonte hapjen e kësaj pike kufitare, nën presionin e SHBA që kërkon lehtësimin e hyrjes së ndihmave humanitare në Gaza dhe nisjen e fazës së dytë të armëpushimit.
Rafahu është i vetmi kalim për pothuajse 2 milionë banorët e Gazës dhe ana palestineze e tij është nën kontroll ushtarak izraelit që nga viti 2024.
Ushtria izraelite tha se po kontrollon zona në Gazën veriore, përfshirë varreza pranë vijës ndarëse, me ekipe të specializuara, rabinë dhe ekspertë dentarë. Ndërkohë, Hamasi deklaroi se ka dhënë gjithë informacionin që zotëron për vendndodhjen e eshtrave të Gvilit dhe akuzoi Izraelin për pengimin e kërkimeve.
Paralelisht, në Jerusalemin Lindor, selia e mbyllur e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) u përfshi nga flakët, disa ditë pasi ishte dëmtuar nga buldozerë izraelitë.
UNRËA dhe OKB-ja e cilësuan incidentin si pjesë të përpjekjeve për të dobësuar rolin e agjencisë, ndërsa Izraeli vazhdon ta akuzojë atë për lidhje me Hamasin, akuza që UNRWA i mohon.
© Panorama.al












