Iu sekuestruan 1400 kg drogë dhe 10 mijë tableta ekstazi, GJKKO shpall fajtorë dhe dënon Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin! Ja sa vite burg do të vuajnë

Feb 10, 2026 | 16:23

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor dhe ka dënuar dy persona, të akuzuar për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe krimit të organizuar.

gjkko-o

Bëhet fjalë për shtetasit Gëzim Bakalli (alias Shkembim Cërmanji) dhe Erjon Loci, të cilëve u janë sekuestruar rreth 1400 kg drogë, 10 mijë tableta ekstazi, armë, karta bankare, etj.

Sipas vendimit të gjykatës, Gëzim Bakalli u deklarua fajtor për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë, “Grup i strukturuar kriminal” në formën e drejtimit, si dhe për disa vepra të falsifikimit të dokumenteve.

Në vendim thuhet se pas bashkimit të dënimeve dhe aplikimit të uljes për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 12 vjet dhe 8 muaj burgim. 

Ndërkohë, Erjon Loci u shpall fajtor për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes. Gjykata vendosi ndaj tij një dënim përfundimtar prej 8 vitesh burgim.

Të dy personat do të vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

1

2

3

 

HETIMET

Sipas SPAK, hetimet rreth këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë zvicerane, Byronë Kombëtare të Hetimit si dhe strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se, Prokuroria e Kantonit të Solothurnit ka vijuar me kryerjen e hetimeve ndaj disa personave, mes të cilëve edhe shtetas shqiptarë, të cilët, gjatë viteve 2018-2024, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal kanë importuar sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit kokainë, heroinëmarijuanë dhe ecstasy, që sigurohej kryesisht nga Amerika Latine dhe Gjermania. Më tej, këto sasi tregtoheshin në rajonin e Kantonit të Solothurn-it, si edhe në vende të tjera.

Nga hetimet paralele të kryera nga prokuroritë e dy vendeve është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Zvicër dhe në Shqipëri i 12 personave (shtetas shqiptarë, zviceranë, turq dhe italianë), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal. Autoritetet e drejtësisë zvicerianë kanë proceduar 10 shtetas shqiptarë dhe të huaj, mes të cilëve dhe të pandehurit Gëzim Bakalli, si dhe Erjon Loci.

SPAK njofton se dy të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar me njëri-tjetrin në këto aktivitete kriminale edhe përmes komunikimeve me anë të platformave të enkriptuara “Sky ECC”, “Threma” dhe “Signal”.

Gëzim Bakalli ka patur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale, të cilën e ka konsumuar në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal në 15 episode, ndërsa i pandehuri tjetër Erjon Loci, është njëri nga personat që ka ndihmuar të pandehurin Gëzim Bakalli, në transportimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në territorin zviceran në 6 episode. 

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në Zvicër dhe Shqipëri, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

  • 22.25 kg heroinë (me përqindje pastërtie që varionte nga 62% – 30.7%),
  • 345.4 kg kokainë (me përqindje pastërtie që varion nga 86.9% – 44.2%),
  • 1.000 kg kokainë, (mbetur në tentativë)
  • 2 kg marihuanë
  • 10´000 tableta ecstasy
  • 2(dy) armë zjarri (SIG 210, SIG 220), si dhe municion luftarak
  • një orë femrash “Rolex”,
  • një orë e markës “HUBLOT”,
  • dy pajisje regjistruese,
  • 2 kapuçë maskimi dhe dokumente shkresore (kontrata shitblerje, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme),
  • karta bankare,
  • gjashtë telefona celularë

 

© Panorama.al

Te lidhura