Iu prezantua si kushëri i një biznesmeni të njohur, mashtruesi ‘serial’ fut në kurth kambistin dhe i merr 60 mijë euro (EMRI)

Jun 5, 2026 | 8:15

Një tjetër rast mashtrimi nga Florian Gjergji, i njohur nga autoritetet për skema të ndryshme mashtruese. I riu nga Shkodra, i cili dyshohet se ndodhet në Gjermani ka arritur që të fusë në kurth një kambist nga Durrësi.

1700389322_floriangjergjipoliciaetiranes

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se përmes mesazheve, Gjergji i është prezantuar kambistit si kushëriri i një biznesmeni të fuqishëm.

Duke shfrytëzuar faktin se kambisti kishte shoqëri me një kushëri të biznesmenit, Gjergji i ka kërkuar 60 mijë euro, shumë të cilën e ka orientuar që t’ia dorëzojë një personi tjetër pranë një qendre tregtare.

Pas marrjes së shumes, personi i dërguar për të tërhequr paratë është larguar drejt Elbasanit, ku është takuar me një tjetër person, i cili ka mbërritur me taksi nga një fshat.

Mashtrimi është zbuluar vetëm pasi kambisti ka kontaktuar mikun e tij për t’i konfirmuar se kishte kryer “porosinë”. Në atë moment ai ka kuptuar se personi që njihte nuk i kishte kërkuar asnjë shumë parash dhe se kishte rënë pre e një skeme mashtrimi.

 

Rasti është denoncuar në polici nga kambisti, ndërsa dy personat që dyshohet se morën dhe transportuan paratë janë arrestuar. Në dëshmitë e tyre ata kanë deklaruar se janë kontaktuar dhe udhëzuar nga Florian Gjergji.

Florian Gjergji është një emër i njohur për policinë për rastet e mashtrimit. Emri i tij ka dalë shpeshherë në skenë pasi ka shfrytëzuar emra të rëndësishëm politikanësh për të marrë para nga njerëz të caktuar.

© Panorama.al

Te lidhura