Ministria e Jashtme e Italisë, nëpërmjet faqes zyrtare të njësisë së krizës që kujdeset për italianët në udhëtim jashtë vendit dhe për ata që bëhen gati të udhëtojnë, ditët e fundit e fut edhe Shqipërinë në listën e vendeve me probleme. Sipas lajmit në “TCH”, në këtë faqe zyrtare ftohen italianët që ndodhen atje ose që do të shkojnë së shpejti që të informohen sa më shpesh, të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të shmangin vendet ku ka grumbullime. Njoftimet e përditshme për gjendjen e kohëve të fundit në Shqipëri, ku përmenden bllokimet e akseve rrugore dhe protestat, shoqërohen nga ato të rreth 20 vendeve te tjera, ku po kalohen gjendje krize si Libia, Tunizia apo Sierra Leone. Pavarësisht këtyre lajmeve në mediat italiane, Shqipëria është reklamuar si një vend i mirë për të kaluar pushimet, duke dhënë edhe rekomandime për vende përkatëse në Shqipëri. “Nëse në mendjet tuaja ky vend ende ngjall kujtimin e anijeve të ngarkuara me refugjatë dhe luftën në Ballkan, duhet të ndërroni ide”, shkruante gazeta “La Repubblica” pak ditë më parë. Gazeta këshillonte Shqipërinë si një vend ku këtë verë mund të kalohen pushime të këndshme, duke shpenzuar relativisht pak. Sipas shtypit italian, gjithnjë e më shumë qytetarë italianë po i afrohen Shqipërisë si një mundësi për kalimin e pushimeve, ndërsa Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik, larg nga imazhi i saj vite më parë si problematik.











