Çezare Prandeli ka pasur një përballje të fortë dhe të ashpër me futbollistët e tij, përpara se të dilte në konferencën për shtyp të parashikuar për mesditën e djeshme. Ai me anë të pamjeve televizive ka ndërtuar edhe një herë ndeshjen me Kroacinë, duke shpjeguar se ku kanë gabuar të tijtë. “Ndeshjen me Kroacinë e kemi riparë dhe kemi nënvizuar gabimet tona. Baloteli ishte ai që për më shumë se 15 minuta më ngjiri, sepse ishte totalisht jashtë roli dhe luajti dobët. Por këtë problem e kam biseduar me të dhe të jeni të bindur që ai do të shpërthejë kundër Irlandës. Kemi tri ditë kohë për të korrigjuar gabimet e tij dhe do ia dalim. Kasano? Ai është fantastik, por pres më shumë, qoftë nga ai, ashtu sikurse edhe nga Baloteli. Di Natale në stol? Tek Udineze ai shënon shpesh, sepse Guidolin e ka ndërtuar skuadrën rreth tij, por këtë gjë nuk mund ta bëj unë në kombëtare. Prandaj, mendoj se Di Natale është më i dobishëm për mua kur zbret në fushë, pasi ndeshja të ketë filluar. Ndryshime? Po, kundër Irlandës do të bëj minimumi 3 ndërrime në formacion, por kjo nuk do të thotë se do të ndërroj skemën 3-5-2. Moduli do të mbetet i njëjti, por disa ndërrime më duhet t’i bëj, pasi të kuptoj edhe gjendjen fizike të skuadrës. Sulmi nuk shënon? Ideja e lojës sonë është që të dërgojmë sa më shumë futbollistë në zonën kundërshtare dhe jo të shënojmë vetëm me sulmuesit”, – përfundoi Prandeli.
Rusia, Advokat: S’ka mëshirë për grekët
Trajneri i Rusisë, Dik Advokat, u shpreh se ai kishte besim që skuadra do të fitonte ndaj Greqisë. Por tekniku holandez kërkoi përqendrim nga ekipi para kësaj sfide, edhe pse kombëtarja ruse është afër kalimit në turin tjetër. “Jam i përqendruar vetëm tek takimi me Greqinë. Ne nuk po mendojmë për ndeshjet e tjera, por vetëm që ekipi të bëjë më të mirën në fushë dhe të fitojë. Kam besim te lojtarët se do të dinë të thyejnë grekët. Ne kemi treguar se mund të fitojmë ndaj tyre dhe do ta bëjmë sërish. Në këtë sfidë nuk do të kemi aspak mëshirë ndaj rivalëve tanë”, tha Advokat. Më pas, ai foli për disa ndryshime që kishte në formacion. Kapiteni Arshavin dhe Kerzhakovi kanë shpërdoruar shumë dhe takimi ndaj helenëve është një mundësi e mirë për të riparuar gabimet e tyre.











