Ismail Qemal Vlora, emblema jonë kombëtare

Jan 24, 2012 | 10:46

BUJAR LESKAJ

JANAR 1844 – 24 JANAR 1919
Kombet ngrihen e mbahen më këmbë nga personalitetet e tyre të mëdha, që mbeten gjithmonë të gjallë e kujtohen përjetësisht si të tillë. I pari themelues i shtetit shqiptar është, pa dyshim, Ismail Qemali, simboli i një zotërie shqiptar e plaku të urtë, statisti dinjitoz e diplomati liberal që diti të zhbironte në thellësitë e mëdha të përvojës së tij të gjatë si shtetar osman, për ta përdorur në ditët më të vështira të Shqipërisë; që diti të japë verdiktin më të rëndësishëm të historisë sonë, bazuar në përvojën e tij aq të larmishme dhe të pasur në Stamboll, në Europën Qendrore, në Ballkan, në Angli, Austri e gjetkë.
Për vite me radhë ai kishte manovruar me shkathtësi dallgët e trazuara të botës së vjetër të kozmopolitizmit, kishte qenë mik i një sërë shtetarësh të Europës dhe njihej si një diagnostikues symprehtë dhe emblemë e analizave  mjeshtërore të politikave lindore. Po ajo çka do të donim të veçonim në karakteristikat e formimit dhe këndvështrimit të tij politik dhe kombëtar, janë dy aspekte të çmuara që ia përcjellin jehonën vizionare deri në aktualitetin tonë të trazuar.
Ndoshta është pak i njohur aktiviteti i gjatë dhe konkret i Ismail Qemalit si këshilltari dhe miku i ngushtë i Midhat Pashës, politikanit më të shquar turk të kohës që gjatë gjithë jetës u mundua t’i jepte një trajtë liberale dhe moderne shtetit të asokohe osman. Madje, i frymëzuar nga mendja e bashkëpunëtorit të tij të përhershëm dhe besnik, Ismail bej Qemalit, dihet se  Midhat Pasha, në rolin e Kryeministrit, u hapi rrugë reformave të gjithmbarshme liberale duke hartuar edhe një projekt kushtetute me këtë frymë, që Sulltani e firmosi njëherë dhe pastaj e anuloi duke i përndjekur hartuesit e saj. Veçse, prirja liberale e plakut të urtë i kishte rrënjët të thella. Gjatë kësaj kohe, për të përhapur këto ide liberale, ndihmuar edhe nga një lord anglez, ai nxjerr një gazetë politike të përdyjavshme, me titull “Rruga e ideve”, që në vitet 1900. Por, mahnitëse mbetet ajo faqe e kujtimeve të tij ku ai analizon dallimin ndërmjet “liberalizmit të tij dhe Midhat Pashës dhe liberalizmit të shumë politikanëve perëndimorë: “Për liberalët e Europës Perëndimore, – shkruan ai, – liberalizmi është vetëm etiketë partie ose mjet për të ardhur në pushtet; kurse në vendet e sunduara në mënyrë autokratike në Lindje, liberalizmi e sheh veten të mbërthyer nga një varg problemesh dhe kërcënimesh. Ai kurrë nuk të vjen në ndihmë për të marrë pushtetin, përkundrazi, të gjithë ata që e përqafojnë, mbartin përsipër rrezikun e humbjes së jetës”. Ishte ky hamendësim tragjik ai që ndoqi aventurën dhe frymën liberale të plakut të madh, me lindjen e shtetit shqiptar. Koha nuk qe pjekur për një frymë të tillë, por analiza e tij e ftohtë dhe prej shtetari të madh, merr gjithnjë e më shumë forcë, sot kur liberalizmi duket të shfaqet si një flamur që valëvitet si i vetmi triumfues në politikë.  Ç’largpamësi buron nga një paralajmërim i tij i madh: “Ndonëse shtetari mund ta përqafojë liberalizmin në fillim të karrierës si mjet për të marrë pushtetin, rrallë qëllon që ai të shfaqë frymë liberale pasi ta ketë fituar këtë pushtet dhe rrallë qëllon që atë frymë liberale ai ta shpjerë deri në atë pikë sat ë rrezikojë t’i humbasë të gjitha”.
Edhe në kohët tona, një përkushtim i tillë ndaj liberalizmit mungon, por shembulli i Ismail Qemal Vlorës le të bëhet busull edhe në këtë drejtim. Me frymën e liberalizmit të tij të ushqyer prej dekadash ai vendosi të përballej edhe për shpëtimin e atdheut të tij të shtrenjtë kur u nis për në Paris, në Konferencën e Paqes, për të mbrojtur çështjen shqiptare. Ja si e kujtojnë bashkëkohësit: “Plaku i gjorë ishte simbol i zhgënjimit që i priste ata pesëdhjetë popuj të ardhur me vrap në Paris, sikur po vinin në një Mekë. Çka e shtonte më shumë dhimbjen ishte fakti se, për hir të vendit që e dëshironte tërësisht të pavarur, Ismail Qemali qe i shtrënguar njëfarësoj të ulte kryet, të bëhej baltë e t’u qepej nga prapa me përulësi mbretërive dhe Fuqive, nga të cilat, për shkak të interesave të tyre të kundërta, ngjyra e kulluar e përkushtimit të tij patriotik merrte hije sipas rastit. Ishte e rëndë, e pa dyshim e ndërlikuar, barra e detyrës që i ishte vënë mbi supe, sidomos i nxitur nga diaspora shqiptare në Amerikë, “për të siguruar dhe garantuar pavarësinë e plotë politike dhe ekonomike të Shqipërisë nëpërmjet ndryshimeve të tilla të kufijve që të përfshinin brenda saj treva ose krahina të tëra të populluara tërësisht prej shqiptarësh, që pa të drejtë na ishin shkëputur në vitet 1912-1913”. E në këtë qëndrim pleksen bashkë te ky patriot i madh, statist i shquar, dy karakteristikat e tij më të çmuara, liberalizmi, por edhe vizioni politik mbarëkombëtar. I dukej e çuditshme dhe ndiqej me shumë vëmendje prej plakut të urtë e liberal qëndrimi i Perëndimit ndaj çështjes shqiptare. “Ne mendonim, – shkruan ai në kujtimet e tij, –  se ishte me vend të shpresonim se një popull që meriton aq shumë vëmendje për arsye të lashtësisë së tij, të heroizmit dhe shërbimit që i kishte bërë Europës duke qenë i pari në mbrojtje të saj kundër dyndjes së turqve dhe më pas duke pranuar të bindej shtruar, atëherë kur qe bërë shtylla e ekuilibrit europian, të mund të lejohej të bëhej zot në vatrën e vet dhe të ruante integritetin e tij territorial.
E më pas, kur na shihnin të zhytur në brengosje të thellë për të ardhmen e atdheut tonë të rilindur aq të errët, na ngushëllonin duke na thënë se duhet të flijoheshim për interesin e përgjithshëm të Europës”.
Janë fjalë të çmuara dhe me domethënie të fortë gjeopolitike ato që dolën nga zhgënjimi që pësuan ëndrrat e plakut të urtë për bashkimin e trojeve shqiptare. Sot mund t’i themi me krenari atij pishtari të parë të patriotizmit mbarëkombëtar që Kosova është e lirë dhe e pavarur në rrugën e drejtë të lirisë dhe qytetërimit. Por nuk mund të harrojmë, përkundrazi, duhet ta mbajmë si busull në perspektivën tonë gjeopolitike analizën e tij largpamëse dhe të thellë për kohën kur u ideua mbi faktorin shqiptar dhe të ardhmen e tij. “Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim ditën kur përfaqësuesit e qytetërimit dhe humanizmit të bashkohen dhe të vendosin për të mbrojtur të drejtat tona, të cilat mjerisht janë nëpërkëmbur aq shumë për shkakun e vetëm se po mundohen të shmangin atë që është e pashmangshme. Jemi të bindur se qëndrimi me drejtësi ndaj nesh do të jetë jo vetëm në të mirën tonë, por edhe të atyre që synojnë të përfitojnë në kurrizin tonë. Rindërtimi i bllokut ballkanik dhe garantimi i tij do të jetë një nga faktorët më të frytshëm për paqen në Lindje dhe në botë. Ngrehina e Ballkanit mund të jetë e qëndrueshme vetëm po të forcohet Shqipëria, që përbën shtyllën e katërt mbajtëse të saj”.

© Panorama.al

Te lidhura