Ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, i bëjnë thirrje klasës politike të zhvillojë zgjedhje sipas standardeve.Në mbledhjen e djeshme, “Forumi Civil 2010” ka bërë apel për një proces të lirë dhe të ndershëm. “U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të shkojnë në votim në mënyrë paqësore dhe të presin me qetësi rezultatin e zgjedhjeve, sepse ky i fundit, në një vend demokratik, gjithmonë vendoset nga votuesit, por zhvillimi dhe menaxhimi normal i procesit zgjedhor është themelor për të ardhmen e Shqipërisë. U bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë udhëheqësve të dy koalicioneve garuese në zgjedhje që t’u kërkojnë me forcë militantëve e përkrahësve të tyre përkatës që të mos shkaktojnë incidente dhe bllokime të votimit apo numërimit të votave”, thuhet në apelin e anëtarëve të Forumit gjatë takimit ku merrte pjesë edhe ambasadori i OSBE-së në vendin tonë. Në të njëjtën kohë ata u bëjnë thirrje edhe komisionerëve që të zbatojnë Kodin Zgjedhor, pasi sipas ish-presidentëve, çdo parregullsi e vërejtur dëmton demokracinë në vend. “U bëjmë thirrje komisionerëve zgjedhorë, të të gjitha niveleve (nga KQZ-ja deri te KQV-të), që t’i përmbahen në mënyrë strikte Kodit Zgjedhor në administrimin e votimit, sepse përndryshe ata mund të kenë pasoja, por pasojat më të rënda do të jenë për të ardhmen e vendit. Çdo kontradiktë apo parregullsi të zgjidhet në rrugë ligjore; çdo tentativë për zgjidhje ekstraligjore do ta dëmtonte rëndë demokracinë shqiptare”, vijon më tej apeli i Forumit. Nga ana e mediave, veçanërisht nga Televizioni Publik, kërkohet pasqyrim i balancuar dhe transmetim në kohë reale i procesit të votimit, ndërsa nga vëzhguesit vendorë kërkohet që të denoncojnë në kohë sa më të shpejtë parregullsitë e vërejtura. “U bëjmë thirrje të gjithë vëzhguesve vendorë që të ndjekin nga afër procesin zgjedhor në të gjithë territorin e vendit dhe të raportojnë në kohë reale incidentet apo parregullsitë e mundshme. U bëjmë thirrje të gjithë vëzhguesve të huaj që të jenë sa më të pranishëm e më kërkues në zonat më të nxehta zgjedhore. U bëjmë thirrje të gjithë ambasadorëve të huaj të akredituar në Tiranë, e sidomos ambasadorëve të SHBA-ve, BE-së, dhe OSBE-së, që të ushtrojnë trysni sa më të madhe pozitive ndaj aktorëve kryesorë politikë vendas për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme e paqësore”, bëhet thirrje në apelin drejtuar pjesëmarrësve në zgjedhje. Në fjalën e tij, ish-presidenti Alfred Moisiu vuri theksin te puna e komisionerëve gjatë ditës së votimit. “Përvoja e deritanishme në proceset zgjedhore ka treguar se detyra e komisionerëve është shumë e rëndësishme për të siguruar një votim të ndershëm, me standarde, që deri tani për ne ka qenë i paarritshëm plotësisht. Ndershmëria në votime varet shumë nga qëllimi që i vënë vetes forcat politike, se çfarë preferojnë ato më shumë: pushtetin apo demokracinë. Pikërisht sepse tek ne komisionerët dhe numëruesit e votave ende caktohen nga partitë, ata veprojnë më shumë si ushtarë, sesa si njerëz të administratës zgjedhore”. Sipas tij, “në këto votime, drejtuesit politikë, në mënyrë të veçantë ata të dy forcave kryesore politike, do ta ndjejnë më shumë përgjegjësinë për këto votime, që në fakt po konsiderohen dhe janë provimi më serioz përsa i përket arritjes së standardeve të kërkuara për të integruar Shqipërinë në BE, që është ëndrra e çdo shqiptari, por që e kam të vështirë ta them nëse e kuptojnë dhe e mendojnë kështu gjithë politikanët tanë”.
ADI SHKEMBI











