
Vetëdorëzohet në polici autori i plagosjes së kreut të komunës së Baldushkut. Pa kaluar ende 24 orë nga atentati me armë ku mbeti i plagosur kryekomunari Elmi Allmuça, autori i dyshuar i ngjarjes është vetëdorëzuar në polici pas negociatave me forcat e rendit. Ish-polici i kësaj komune, i shkarkuar nga puna pak kohë më parë, Altin Shabani, 32 vjeç, baba i dy fëmijëve të mitur, e kishte kaluar natën në arrati pas atentatit me armë ndaj kreut të komunës. Fillimisht oficerët e Policisë së Tiranës kanë negociuar me të nëpërmjet bashkëshortes, së cilës i është kërkuar që të komunikonte në telefon dhe ta binda që të dorëzohej, pasi do i krijoheshin lehtësira. Pasi është zbuluar vendndodhja e tij, efektivat e Komisariatit Nr.1 kanë rrethuar pyllin ku fshihej 32-vjeçari Shabani dhe kanë nisur negociatat me të në distancë. Burime nga Policia thanë se brenda pak minutash ai është bindur që të dorëzohet dhe ka dalë përballë punonjësve të Policisë, duke dorëzuar fillimisht pistoletën tip “TT”. Më pas ka shtrirë duart drejt prangave dhe i është dorëzuar forcave të rendit, duke pranuar edhe autorësinë e ngjarjes. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se Altin Shabani ishte shpallur në kërkim me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë të kryetarit të komunës Baldushk, Elmi Allmuça, 46 vjeç. Ai u identifikua fillimisht nga disa dëshmitarë që e kanë parë ngjarjen dhe e kanë njohur. Më pas ka qenë edhe vetë i plagosuri, që gjatë deklarimeve për grupin hetimor ka shpjeguar motivin e ngjarjes dhe ka treguar edhe emrin e autorit.
DESHMIA E ALLMUÇES
Pasi ka dalë nga salla e operacionit mbrëmjen e së dielës, ku mjekët i kanë hequr plumbin që i kishte ngecur në zorrë, kryekomunari i Baldushkut, Elmi Allmuça, ka dhënë dëshminë e tij për ngjarjen para oficerëve të grupit hetimor. Ai ka shpjeguar se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21:00, ka qenë duke udhëtuar me fuoristradën e tij nga qendra e Baldushkut, drejt shtëpisë. Rruga për t’u kthyer në shtëpi kalonte pranë banesës së ish-policit të komunës, Altin Shabani. Sapo i është afruar asaj zonë, i ka prerë rrugën me makinën tip “Benz” ish-polici dhe në atë moment kanë zbritur të dy nga makina. “Zbrita që të bisedoja nga afër me të, pasi i dija pakënaqësitë për largimin nga puna, por isha i detyruar për ta shkarkuar katër muaj më parë, duke qenë se grindej shumë me kolegët. Menjëherë ai filloi të ngrinte zërin dhe të më kërkonte llogari pse e kisha hequr nga puna. Dhe unë i thashë se nuk ishte vendi për ta konsumuar këtë bisedë, në atë orë dhe në rrugë dhe i kërkova të vinte të nesërmen në zyrë”, ka shpjeguar Allmuça. Më pas ai tregoi se ka hipur në makinë dhe sapo fuste marrshin për t’u larguar, ka dëgjuar një të shtënë dhe një therje në ije. Kur ka kuptuar që ishte plagosur dhe ka parë autorin të largohej nga vendi i ngjarjes, ka lajmëruar menjëherë policinë. Burime nga grupi hetimor thanë se nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton që Allmuça ka qenë në makinën e tij kur është qëlluar. Autori ka shkrepur pistoletën duke goditur makinën nga pas dhe plumbi ka depërtuar nga sedilja e pasme në sediljen e shoferit, duke ngecur në ijën e Allmuçës.
Motivi
Shkak për atentatin me armë ndaj kreut të komunës Baldushk ka qenë shkarkimi nga puna i autorit të dyshuar të ngjarjes. Pak javë më parë, shtetasi Altin Shabani ishte larguar nga puna si polic pranë komunës Baldushk. Për këtë arsye, të dielën, ai i ka zënë rrugën kreut të komunës dhe i ka kërkuar llogari për pushimin nga puna. Pas arrestimit të autorit të ngjarjes, ditën e djeshme, tashmë ky motiv i ngjarjes është pranuar dhe është pohuar për hetuesit e policisë nga dy protagonistët e ngjarjes.
ETLEVA DELIA











