Ish-polici bashkiak, në gjyq për korrupsion

Sep 26, 2011 | 11:38

Tiranë – Një ish-zyrtar i Bashkisë së Tiranës është dërguar në gjyq me akuzën e korrupsionit të kryer nga personat që ushtrojnë funksione publike. Shtetasi Agron Doçi, ish-efektiv i Policisë Bashkiake të Tiranës, i arrestuar më 3 qershor 2011, akuzohet se ka kryer veprën penale, duke abuzuar në raport me disa biznese private që veprojnë në Tiranë. Pas katër muajsh hetime, Prokuroria e Tiranës dhe, më konkretisht, Njësia Task-Force Antikorrupsion ka përfunduar hetimet ndaj ish-bashkiakut dhe e ka dorëzuar në Gjykatë dosjen penale ndaj tij. Sipas hetimeve, ish-polici bashkiak, Agron Doçi, akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën e tij si polic bashkiak për të marrë kontakt me drejtuesit e menaxherët e disa lokaleve në zonën e Bllokut dhe në rrugën “Myslym Shyri”, në Tiranë. Polici bashkiak akuzohet se pasi ka marrë dijeni se disa prej këtyre bizneseve nuk ishin pajisur sipas ligjit me kasat fiskale, u ka ofruar atyre paktin që të mos paguanin gjobën që duhej vendosur zyrtarisht, por t’i jepnin atij shuma nga 10 deri në 20 mijë lekë të rinj, dhe problemi ishte zgjidhur, pasi ai nuk do të raportonte. Në një rast, Policia e Tiranës dhe Prokuroria kanë arritur të dokumentojnë “presionet” që ish-bashkiaku i ka bërë menaxherit të një lokali luksoz në rrugën “Myslym Shyri”, në Tiranë. Sipas burimeve nga organi i akuzës mësohet se takimet e ish-policit bashkiak me përfaqësuesit e biznesit janë dokumentuar me anë të përgjimit audioviziv, ku janë zbardhur edhe “tratativat” që ish-polici bashkiak ka bërë me të dëmtuarit nga ky abuzim.

© Panorama.al

Te lidhura