Nëntë ish-policë të Komisariatit të Kamzës, të shkarkuar nga detyra pas sulmit të dhunshëm të mbrëmjes së 21 korrikut ndaj institucionit të Policisë, i drejtohen Gjykatës së Tiranës për rikthimin e tyre në radhët e uniformave blu.
Nga togat e zeza të Gjykatës ata kërkojnë shfuqizimin e urdhrit të kreut të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, për përjashtimin e tyre nga Policia. Sulmi i korrikut 2011 në Komisariatin e Policisë Kamzë u krye nga familjarët e një të shoqëruari. Tre pjesëtarë të familjes Halili u futën në oborrin e Komisariatit, dhunuan fizikisht shefin e Krimeve, si edhe goditën me mjete të forta muret e Komisariatit. Policët që i janë drejtuar Gjykatës, i përkasin grupit prej 15 punonjësish policie të “ndëshkuar” me përjashtim nga detyra për shkak të shkeljeve disiplinore në lidhje me këtë ngjarje. Shkeljet e tyre në disiplinë ishin në lidhje me lejimin e sulmimit të Komisariatit të Policisë dhe me mosndërhyrjen e tyre, kur disa persona sulmuan shefin e Krimeve. Njëkohësisht shkelje disiplinore u konsiderua edhe fakti se, ndonëse kanë marrë një urdhër nga eprori i tyre, nuk janë bindur menjëherë. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës konfirmuan se në dy javët e fundit janë regjistruar të paktën nëntë kërkesë-padi, ku si palë paditëse janë ishpolicët e Komisariatit të Policisë Kamzë. Bëhet fjalë për ish-policët Agron Kapo, Astrit Cani, Sefi Qejvani, Nikoll Bazhella, Pal Pjetergjoka, Flamur Çela, Edmond Noka, Bujar Lamaj dhe Haqif Muça. Palë e paditur në këto kërkesë-padi janë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Policisë, qarku Tiranë, si edhe në disa raste Komisioni i Apelimit. “Shfuqizimin si të padrejtë të urdhrit nr. 6075/8, datë 24.10.2011, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë dhe vendimin nr. 55 datë 10.08.2011 të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për ‘Përjashtimin nga Policia e Shtetit’. Kthimin tim në detyrë dhe pagesën për kohën e qëndrimit pa punë, si pasojë e këtij akti administrativ të paligjshëm”, thuhej në objektin e padisë të njërit prej tyre. Në paditë e regjistruara, një pjesë e paditësve kërkonin dëmshpërblim në masën e një viti punë për shkak të zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës. Pas depozitimit në Gjykatë këto kërkesë- padi janë hedhur në short, i cili ka përcaktuar gjyqtarët që do t’i shqyrtojnë. Në raportin e Policisë për ngjarjen e 21 korrikut 2011 në Komisariatin e Policisë Kamzë, thuhej se 15 punonjësit që iu nënshtruan procedimit disiplinor kanë qëndruar inaktivë gjatë kryerjes së veprimeve të dhunshme ndaj shefit të Krimeve. ar.ba
Paditë e policëve
Policia e Shtetit ka një raport të veçantë me ishefektivat e saj, për shkak se një numër i madh ishpunonjësish dhe ish-zyrtarësh të shkarkuar nga organet e rendit kanë bërë padi në gjykata dhe kanë rifituar të drejtën e kthimit në vendin e punës që kanë pasur. Asnjë nga këto vendime të gjykatave nuk është zbatuar në dhjetë vjetët e fundit, për shkak të një klauzole të vendosur nga Gjykata e Lartë, që veç të drejtës së rikthimit në detyrë, kërkon edhe që efektivi i shkarkuar të ketë mirëbesimin e eprorëve.
© Panorama.al











