Ish-ekspozita, dëmi 60 milionë lekë

Jul 7, 2011 | 10:07

Një dëm prej 60 milionë lekësh dyshohet se i është shkaktuar shtetit nga privatizimi apo kthimi i ish-ekspozitës “Shqipëria Sot” tek ish-pronarët e saj.Një grup ekspertësh të thirrur nga Prokuroria e Tiranës mësohet se kanë përfunduar përllogaritjet e tyre në lidhje me çmimin me të cilin është shitur tek ish-pronarët një pjesë e pronës së ish-ekspozitës, e cila ka qenë shtetërore. Sipas konkluzionit të specialistëve, vlera reale e pronës në fjalë është 62 mijë lekë metri katror, ndërkohë që trualli dhe godina e ish-ekspozitës u është kthyer pronarëve duke ua shitur me 42 mijë lekë metrin katror për pjesën shtetërore të saj. Nga përllogaritjet e bëra prej specialistëve, të cilët kanë verifikuar vlerën reale të pronës, është arritur në përfundimin se dëmi që i është shkaktuar shtetit është rreth 60 milionë lekë. Sipas ekspertëve, ky dëm është shkaktuar me anë të shitjes nën vlerë të pjesës shtetërore (20-25) e pronës që, sipas ligjit, është blerë nga pronarët që zotëronin 75-80% të saj. Sipas verifikimeve të bëra nga prokuroria, shitja e pjesës shtetërore është bërë me çmim të caktuar në vendim qeverie, por ky çmim që u vendos në VKM, është propozuar nga Ministria e Ekonomisë.
Hetimi
Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës i filloi kryesisht hetimet në lidhje me kthimin e ish-ekspozitës te pronarët dhe privatizimin e një pjese të saj. Shkak për hetimin u bënë disa akuza të bëra publike nga PS, kryesisht prej deputetit Eduard Shalsi. Megjithatë, në prokurori “denoncuesi” i skandalit nuk dha prova konkrete, edhe pse u thirr për të dhënë dëshminë e tij. Nga ana tjetër, organi i akuzës verifikoi gjithë dokumentacionin dhe procedurat e ndjekura në vitin 2008. Ministria e Ekonomisë, në vitin 2008, ka propozuar vendimin e qeverisë me të cilin u bë kthimi i pronës te pronarët, ndërsa për pjesën shtetërore ishte krijuar një komision sipas ligjit për caktimin e çmimit. Më pas doli se ky komision nuk kishte kërkuar të dhëna në Entin Kombëtar të Banesave, as në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për çmimet e tregut në zonën ku u bë privatizimi. Prokuroria tha se sipas ligjit, pronarët kanë blerë rreth 2 mijë metra katrorë të sipërfaqes së ndërtesës së ish-ekspozitës, e cila ishte ndërtuar në tokën e tyre, pas shtetëzimit të saj. Ligji i jep të drejtën pronarit që zotëron 70 për qind të sipërfaqes, të blejë ndërtesën apo tokën që përbën 20-30 për qind të ngastrës. Prona është kthyer në masën 70 për qind dhe është privatizuar në 30 për qind e saj. Për pjesën të shtetit, e cila iu shit pronarëve, prokuroria ngriti një grup ekspertësh që verifikuan çmimin e tregut dhe vlerën reale të pronës në atë zonë.

Dëmi ekonomik në arkën e shtetit

“Në rast se pjesa shtetërore e pronës do të shitej me vlerën reale, në buxhetin e shtetit do të arkëtoheshin 60 milionë lekë më shumë”. Kështu janë shprehur ekspertët në raportin e dorëzuar në Prokurori. Organi i akuzës pohon nga ana tjetër se VKM që caktoi çmimin është kolektiv dhe nuk mund të ushtrohet ndjekje penale për vendimmarrje të tilla.

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura