VIDEO- Ish-deputeti i PD, Dashnor Sula u zgjodh Kryeinspektor nga Qeveria, Berisha: Kjo quhet tradhti e lartë! Të kapësh flamurin e Edi Ramës në kohën e tij më të zezë kjo është…

Feb 7, 2026 | 12:30

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e konsideroi ish deputetin e PD, Dashnor Sula si tradhtar, pasi ai mori postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm nga qeveria.

Berisha e quajti Sulën një “mollë e kalbur”, duke theksuar se ai kapi flamurin e zezë të Ramës, duke kryer akt tradhtie.

Kryedemokrati deklaroi se Dashnor Sula tradhtoi ata burra dhe gra që për 12 vjet e kanë mbështetur me gjithë gabimet qe mund te kete bere.

“Në qoftë se tradhtia ndaj atdheut, quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë, nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë në doktrinë. Të tradhtosh ti ata, të cilët burra dhe gra fisnikë, kanë 12 vite që nuk të kthejnë shpinën, por të mbështesin me të gjithë gabimet që mund të kesh bërë, me të gjithë të tjerat, por të mbështesin si dritë, si shpresë për ta, dhe të dalësh në kohën më të zezë të Edi Ramës, dhe të kapësh flamurin e Edi Ramës, ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë.

Po, por nga ana tjetër, ju garantoj se PD, me largimin… dhe unë në rast se e keni vënë re në diskutimet e mia, në mënyrë të përsëritur kam ngritur që ne duhet të ndahemi nga këta njerëz. Kam arritur në një përfundim. Kam konstatuar se një nga drejtimet më themelore të Edi Ramës ka qenë korruptimi i eksponentëve të opozitës. Një veprimtari e ulët”, tha Berisha.

Berisha i konsideron veprimtari e turpshme kriminale, përpjekjet e qeverisë për të blerë, për të korruptuar, sipas tij, përfaqësuesit e opozitës vetëm në funksion të pushtetit të vet.

“Ndaj dhe ne, çfarë e shtyu atë në një moment kaq kritik t’i gjendet Edi Ramës në krah? E kuptoni vetë se ç’mollë e kalbur ka qenë ai. Çfarë e shtyn, e thashë edhe para disa ditësh, doktorin 32 vjet mjek, thotë jam anëtar PD-je, të dalë në krah të Salianjit të krimit, të bandave, dhe të përcjellë mesazhet e Subashit, i cili në pallatin e tij ka vendosur KESH-in. Nuk humbasim ne nga këta, përkundrazi u them ju se ne do ndahemi me këta. Ne nuk duam më kurrë në gjirin tonë shërbëtorë të Edi Ramës. Po një gjë, këta dallojnë nga ata që e kanë ndjekë nga partia e vet. Këta gëlltisin tradhtinë, jo ndaj meje, nuk ka lidhje me mua fare, ndaj teje si qytetar në radhë të parë që i ke besuar dhe i ke ndjekur. Dhe del tani në ditën më të zezë, kur po i dridhen këmbët, shkon dhe i bëhesh patericë. Kjo është histori turpi”, deklaroi Sali Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura