Irena Çelaj: Gruaja që bën zap 170 të dënuar me heqje lirie

Jan 23, 2012 | 15:35

Irina Çelaj, Foto: Vlasov Sulaj

Ajo mban “çelësat” e Burgut 325 këtu në kryeqytet. Prej katër vitesh në postin e drejtoreshës së këtij institucioni, Irena Çelaj tregon detaje interesante për aspektin profesional të përditshmërisë së saj. Vështirësitë e punës me të burgosurit, e etiketuar si një kategori shoqërore e rrezikshme, nuk e bëjnë atë të akullt përballë rasteve njerëzore të nënave që kërkojnë ndihmë, …

… të grave në prag të lirimit që e kanë thuajse të pamundur të rimarrin ritmin e jetës normale, sikundër edhe femra të moshuara, që lëngojnë mes dhimbjeve në shtretërit e sëmundjeve. Për Irenën, që në krye të herës kjo detyrë e propozuar ishte sfidë, sikundër vazhdon të jetë edhe sot, pas katër vitesh në këtë post.

Propozimin për të drejtuar një prej burgjeve kryesore të kryeqytetit, që në krye të herës e quajti sfidë. Ishte thuajse 30 vjeçe dhe, përpos formimit profesional e eksperiencës gati 10- vjeçare të punës, pikëpyetjet që i vardiseshin në kokë ishin të shumta. Institucione të tilla siç janë burgjet, ku bëhet fjalë për çështje sigurie të mirëfilltë, mundësi arratisjeje, për përgjegjësi absolute kundrejt një kategorie të caktuar shoqërore siç janë edhe shkelësit e ligjit, e ndërlikonin edhe më tej dilemën e Irena Çelajt për t’iu përgjigjur pozitivisht propozimit të ri të punës. Por sfidat mbeten sfida, dhe risku është i dykahshëm. E ulur prej katër vitesh në postin e drejtoreshës së Burgut 325, këtu në Tiranë, apo i cilësuar ndryshe si burgu i grave për Irenën, asnjë ditë nuk i ngjan tjetrës për nga dinamika e zhvillimeve apo problematikat e ndryshme që mbartin të dënuarat brenda dyerve të qelive. “Të menaxhosh një staf pune prej 122 vetash, një grup të dënuarish prej 170 personash dhe një buxhet afro një miliard lekë, nuk është një sipërmarrje e lehtë. Drejtimi i këtij institucioni, që protagonistë të tij ka një kategori shoqërore problematike, të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale, e vështirëson edhe më tej punën. Por mundohem të jem sa më pranë tyre, duke dëgjuar vështirësitë që kanë, njihem nga afër me nevojat e tyre, takoj familjarë e të afërm që shprehin kërkesa të ndryshme, të cilat në varësi të

Irina Çelaj, Foto: Vlasov Sulaj

rregullave të institucionit herë plotësohen e herë jo. Përpos të gjithave, mua më pëlqen vërtet përditshmëria e punës sime”, tregon Irena Çelaj. Gjithnjë është menduar se institucione të kësaj natyre drejtohen nga meshkuj. Jo pa arsye, në fillim të detyrës së re ajo është përballur me reagime skeptike qoftë nga përfaqësues shtetërorë apo familjarë të të dënuarve, të cilët habinë e tyre e kanë shoqëruar me pyetjen se si ka mundësi që një vajzë e re merr përsipër një punë me kaq përgjegjësi. Përballja me njerëz që kanë shkelur ligjin e që janë një kategori e rrezikshme për shoqërinë, e ndërlikon edhe më specifikën e punës së drejtoreshës së Burgut 325 në Tiranë.
Ditët e ngarkuara emocionalisht
Mes normalitetit të ditëve të saj, mund të ndodhë që të realizojë edhe 30 takime në ditë me të dënuarat brenda qelive. Nëna të reja, që kërkojnë më lot në sy të takohen me fëmijët e tyre, të tjera që ankohen se të afërmit i kanë braktisur apo gra të tjera në prag të lirimit që kanë frikë të rimarrin ritmet e jetës, pikërisht për shkak të “damkës” që i identifikon si ish të  burgosura. “Puna në burgje është tepër e vështirë, sepse ka ngarkesë të madhe emocionale. Kjo është arsyeja se pse kësi institucionesh kanë riskun më të lartë të konsumimit profesional. Duke qenë femër, nuk mund të tregohem e akullt përballë problemeve që ato kanë. Shpesh ndiej keqardhje, dhe pse jo pafuqi për t’i ndihmuar që ato t’i rikthehen jetës normale”. Irena e ka të pamundur të shkulë nga kujtesa rastin e pak javëve më parë, kur një nënë e re i shkruante një letër të detajuar me kërkesën për të qenë e pranishme në 10-vjetorin e ditëlindjes së fëmijës që jetonte në qendrën sociale të fshatit SOS. “Bëra të mundur që ajo nënë, e shoqëruar sigurisht nga forcat e sigurisë, të ishte e pranishme në festën e fëmijës së saj. I blemë një tortë dhe një dhuratë sipas kërkesave të nënës. Ishte një ditëlindje e paharrueshme e një ngjarje prekëse. Ditën tjetër, ajo erdhi në zyrë duke më puthur duart e më falënderonte për atë emocion që i kisha mundësuar”, rrëfen Çelaj.
Për Irenën, i trishtueshëm thuajse çdo ditë është edhe kontakti me dy gratë më të moshuara të burgut, mbi moshën 65-vjeçare. Njëra e dënuar për vrasje dhe tjera për lëndë narkotike, pasi kjo e fundit me kërkesë të të birit, i cili vuante dënimin në burgun e Peqinit, i kishte sjellë një sasi lënde narkotike që përbënte vepër penale. E moshuara po përjeton probleme të rënda shëndetësore, mendore, shpeshherë gjatë netëve shtrohet në spital, dhe për drejtoreshën e gjithë kjo situatë tingëllon e dhimbshme.
Drejtoresha e burgut, përtej dyerve të hekurta…
Me gjithë përkushtimin profesional dhe gatishmërinë e punës që nuk njeh orare zyrtare, 35-vjeçarja Irena Çelaj është e vetëdijshme se i ka hyrë në hak edhe jetës së saj personale. “Shpeshherë gjatë orareve të vona të mbrëmjes bëj kontrolle të befasishme për të parë nivelet e gatishmërisë, duhet doemos të jem e pranishme në zyrë për të firmosur një urdhër lirimi që ka mbërritur vonë nga Prokuroria, ndërsa ka prej grave të dënuara që kanë probleme, të cilat kërkojnë t’i diskutojnë me mua dhe sërish ndiej nevojën për t’u kthyer në ambientet e burgut”. Atë pak kohë të lirë që i mbetet në dispozicion, Irena zgjedh që t’ia kushtojë librit, si një nga pasionet e kahershme e të vazhdueshme të saj. Një vëmendje të veçantë në jetën e drejtoreshës kanë edhe marrëdhëniet shoqërore, miqtë dhe mikeshat e ngushta, me të cilët ndan orët e lira, përtej dyerve të hekurta të Burgut 325 këtu në kryeqytet.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura