Irani nisi një valë sulmesh me raketa kundër Izraelit gjatë natës, duke aktivizuar sirena në të gjithë vendin.
Sipas ushtrisë izraelite, shumë nga raketat e nisura ranë në zona të hapura, por të tjera shkaktuan dëmtime në ndërtesa në Tel Aviv, nëpër rrugë si dhe në disa automjete. Shërbimet e emergjencës raportuan se gjashtë persona po marrin trajtim mjekësor në spital.
Nga ana tjetër, Forcat izraelite (IDF) njoftuan se po kryejnë operacione të reja kundër objektivave në Iran. Ynet raporton se IDF po sulmon vendet e lëshimit të raketave dhe objekte të tjera në Iranin perëndimor, pas sulmeve me raketa iraniane.
Dëmi i raportuar në qendër të Tel Avivit pas sulmit të fundit iranian u shkaktua nga një kokë rakete që përmbante afërsisht 100 kilogramë eksploziv. Kjo u konfirmua nga Mbikëqyrësja e Policisë Izraelite Fadida Yaniv, pjesë e njësisë që heton shpërthimet.
Kujtojmë që një ditë më parë, Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi se do të pezullonte për pesë ditë sulmet ushtarake ndaj objektivave energjitike të Iranit, ndërsa tha se po finalizohet një marrëveshje 15 pikëshe me Teheranin, njëra prej të cilave kishte të bënte me programin bërthamor.
© Panorama.al











