Irani publikon videon e sulmit ndaj cisternës që sekuestroi në Gjirin Persik, Teherani pretendon se transportonte tonelata karburant kontrabandë

Dec 26, 2025 | 13:02

Irani ka publikuar një video-dokument nga ndalimi i një cisterne të huaj pranë ishullit Qeshm në Gjirin Persik.

anije irani

Sipas autoriteteve në Teheran, anija transportonte rreth katër milionë litra karburant kontrabandë, raportoi një media shtetërore. Autoritetet iraniane nuk e kanë bërë të ditur emrin e anijes dhe as nuk kanë dhënë detaje për flamurin e saj.

Ata njoftuan se 16 anëtarë të huaj të ekuipazhit janë vënë në paraburgim, të akuzuar për vepra penale. Televizioni shtetëror iranian bëri të ditur se operacioni u zhvillua të mërkurën më 24 dhjetor.

Irani, i cili ka ndër çmimet më të ulëta të karburanteve në botë për shkak të subvencioneve të larta dhe rënies së vlerës së monedhës kombëtare, po përballet me një betejë të vazhdueshme kundër kontrabandës së karburanteve.

Kjo kontrabandë realizohet si nëpërmjet rrugëve tokësore drejt vendeve fqinje, ashtu edhe nëpërmjet detit drejt vendeve arabe të Gjirit.

© Panorama.al

Te lidhura