Ipeshkvijt e 33 vendeve të Europës, asamble në Tiranë

Sep 29, 2011 | 11:40
Imzot Rrok Mirdita

Ungjillëzimi i ri, përhapja e lajmit të mirë, të shpëtimit përmes Krishtit dhe paqes që përhap ai, do të jetë tema që do të mbledhë për katër ditë në Shqipëri krerë të lartë katolikë nga 33 vende të botës. Duke nisur nga dita e sotshme e deri në 2 tetor 2011, do të mbahet në Tiranë Asambleja Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Europës. Mëkëmbës i Papa Benediktit XVI do të jetë imzot Salvatore Fisichella, i emëruar nga Papa në krye të dikasterit të sapoformuar në Vatikan. Sipas imzot Rrok Mirditës, argjipeshkëv-metropolit i Tiranës dhe i Durrësit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, zhvillimi i kësaj Asambleje në Shqipëri ka një rëndësi të madhe. “Së pari në rrafshin kishtar. Pas një shkëputjeje prej pesë shekujsh e gjysmë të Shqipërisë nga kontinenti europian, fillimisht për shkak të pushtimit turk e pastaj për shkak të izolimit komunist, më në fund tërë kontinenti europian do të jetë i pranishëm në Shqipëri me anë të kryetarëve të Konferencave Ipeshkvore të 33 vendeve anëtare. Kjo është një shenjë e fortë se Europa katolike e konsideron Kishën shqiptare si një pjesë të veten të natyrshme, pavarësisht nga çfarë i ka ndodhur kësaj kishe për gati gjashtë shekuj”, thotë imzot Rrok Mirdita, teksa shton se konferenca ka edhe rëndësi në rrafshin ndërkombëtar, sepse këto figura të larta të kishës katolike do të vijnë e do të njihen me Shqipërinë dhe do të kuptojnë se ajo është degë e trungut europian. “Me këtë vizitë ata u bëjnë homazh burrave dhe grave shqiptare që, përgjatë persekutimeve të egra të të krishterëve në Shqipëri, nuk u epën, por u martirizuan, duke u shndërruar në një thesar shpirtëror kombëtar e botëror e në një model të shkëlqyer të besnikërisë ndaj ndërgjegjes”.
Mbi ungjillëzimin
Asambleja Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Europës do të ketë si temë kryesore “Ungjillëzimin e ri”. Duke pasur parasysh se Shqipëria është një vend, që tashmë numëron 5 besime, procesi i ungjillëzimit, që do të thotë përhapja e lajmit se Krishti shpëton, duket gati si një mision i pamundur. “Tregimi i lajmit të mirë nga ana e Kishës nuk bie dhe nuk mund të bjerë ndesh as me ndjesinë fetare të besimtarëve të feve të tjera, as me institucionet fetare të ndryshme, sepse ungjillëzimi është parashtrim i një mundësie të re për njeriun për të arritur një mendësi të re. Të ungjillëzosh nuk do të thotë as të bësh konkurrencë fetare, as të mbushësh radhët e bashkësisë me anëtarë të rinj. Ungjilli nuk është manifest social apo politik. Është dritë e re mbi brendinë e njeriut. Në thelbin e tij, ungjilli është komunikim i lirë, dialog. Të ungjillëzosh do të thotë të shtosh mundësinë e komunikimit dhe të dialogut. Krishti është paraqitur para njerëzve si mik. I krishteri i vërtetë nuk mund të bëjë ndryshe. Në këtë kuptim, të ungjillëzosh në Shqipërinë multifetare, do të thotë të lidhësh miqësi me anëtarët e besimeve të tjera fetare”, thotë argjipeshkvi.
Në kohët e vështira që po kalon shoqëria shqiptare dhe jo vetëm, në krizën e vlerave, institucionet përpiqen të bëjnë më të mirën për të ruajtur ca vlera themelore. “Kisha Katolike e jep kontributin e vet për ruajtjen dhe rimëkëmbjen e këtyre vlerave pikërisht duke u treguar njerëzve burimin hyjnor të vlerave, pra duke u folur për Zotin. Duhet kujtuar se në perspektivën e krishterë të flasësh për Zotin do të thotë në të njëjtën kohë të flasësh për njeriun, për natyrën dhe thirrjen e tij, sepse njeriu është krijuar në shëmbëllimin e Zotit”, thotë Mirdita. Madje, sipas tij, Kisha katolike është një ndihmesë në bashkimin e Shqipërisë me familjen e madhe europiane. “Kisha Katolike ka një përvojë shumë më të lashtë se Europa e Bashkuar në çështje të tilla, siç janë proceset e integrimeve ndërkombëtare. Me përvojën e saj dhe praninë e saj të fortë në të gjitha nivelet e Bashkimit Europian, ajo jep një kontribut edhe për imazhin e Shqipërisë pranë institucioneve europiane vendimmarrëse”.

© Panorama.al

Te lidhura