“Integrimi në BE konsolidon institucionet e drejtësisë”- Rama: Duhet të rritet profesionalizmi dhe paanshmëria! Korrupsioni, luftë që zhvillohet në frontin…

Mar 30, 2026 | 12:37

Kryeministri  Edi Rama, ka theksuar se procesi i anëtarësimit në Bashkimi Evropian nuk duhet parë në mënyrë sipërfaqësore, por si një transformim i thellë historik për shtetin shqiptar.

Sipas Ramës, integrimi në BE ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe fuqizimin e funksionimit të shtetit ligjor në të gjitha nivelet.

Kreu i qeverisë nënvizoi se ky proces po kontribuon në konsolidimin e institucioneve të drejtësisë, të cilat, sipas tij, kanë hyrë në një fazë të re, duke gëzuar një nivel pavarësie të paprecedentë.

“Shpesh herë tendenca është që të shikohet anëtarësimi i BE në mënyrë të sipërfaqshme dhe të mos kuptohet që ky proces është historik  sepse transformon shtetin shqiptar dhe i jep institucioneve në kapacitet dhe fuqi për të vepruar.

Rritja e kapaciteteve institucionale sjell edhe forcim të rendit ligjor në të gjithë kapacitetet, jo thjesht në aspektin e ushtrimit e pushtetit të pavarur gjyqësor, por ushtrimin e pushtetit të çdo institucioni në funksion të ligjit.

Më tutje ky proces konsolidon institucionet e drejtësisë që tani kanë kaluar në një fazë tjetër, pasi kanë pavarësinë që nuk e kanë pasur kurrë dhe në procesin e konsolidimit do të duhet të rrisin profesionalizimit, paanshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve të tyre.

Ky proces siguron luftën kundër korrupsionit jo thjesht si një luftë që zhvillohet në frontin midis institucioneve të drejtësisë dhe korrupsionit, por si një luftë që zhvillohet edhe në frontin e modernizimit të transformimit institucional dhe të realizimit të një kapaciteti të të gjithë shtetit për ta parandaluar korrupsionin. Për të parandaluar veprimtari që realizohen në hapësira gri, ose në mungesë të kanaleve të sigurta institucionale që garantojnë shërbime dhe ndërveprime të shpejta dhe cilësore”, tha Rama në fjalën e tij në mbledhjen e qeverise.

Rama u shpreh se ajo çka flitet në publik është  shumë e reduktuar ose pa lidhje me këtë proces, ndërsa shprehu falënderim për skuadrën negociatore me BE.

“Jo më larg se pak ditë më parë ministri i drejtësisë dhe i brendshëm bënë një prezantim shterues në tryezën e ambasadorëve të vendeve anëtare në Bruksel. Ndërkohë ministri i Jashtëm është i koordinuar me dy  ministret e shtetit për ti dhënë dimensionin politik procesit në komunikimin tonë ndërkombëtar. Ajo që vlen në këtë proces përtej realizimit të një mase apo kalimit të një reforme dhe pastaj miratimit të masës ose reformës në Bruksel është që ky proces rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit. Sic duket edhe nga prezantimi procesi ka një dobi të jashtëzakonshme dhe është i pazëvendësueshëm”, deklaroi Rama.

© Panorama.al

Te lidhura