Integrimi në BE, Dhuka: Kemi shumë punë përpara, duhet të plotësojmë 101 kushte për mbylljen e kapitujve

Mar 30, 2026 | 12:10

Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka theksoi se ndonëse Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt Unionit, do të duhet të bëjë më shumë punë për të përmbyllur kapitujt brenda vitit 2027.

dhuka

Në një mbledhje, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama, ajo theksoi se KE ka dhënë vlerësim pozitiv, por shtoi se presin të njëjtin qëndrim edhe nga vendet anëtare të Unionit. Me marrjen e këtij vlerësimi, theksoi ajo, duhet të nisin me mbylljen e kapitujve.

“Shqipëria ecën me hapa të sigurt, pa asnjë ndërprerje si në pikëpamje të përgatitjes teknike apo vullnetit politik, reformave dhe angazhimit të qeverisë. Shqipëria ka marrë deri tani mbështetjen e BE, sa i përket komisionit dhe vendeve anëtare, megjithatë shumë punë është përpara për t’u bërë deri në 2027 dhe pas në fund të dekadës ku aspirojmë që të kemi përmbushur kriteret për të qenë anëtar. Gjatë vitit të kaluar, çelëm negociatat për të gjithë grupimet e kapitujve.

Shqipëria bëri punën konsistence sa i përket kushteve të ndërmjetme, që janë kërkesa të veçanta reformash, arritjesh sidomos me sigurinë dhe rendin, me drejtësinë dhe të drejtave të njeriut. Të gjithë ministrat dhe institucionet lëvruan të gjitha kërkesat dhe Shqipëria e mbylli këtë fazë në janar të këtij viti. Nga Shqipëria presin me besim edhe vlerësimin e vendeve anëtarë në javët që vijnë, të gatshëm të plotësojmë çdo kërkesë të veçantë që mund të vijnë nga vendet anëtare. Me marrë vlerësimin pozitiv edhe të vendeve anëtare, Shqipëria duhet të kalojë në mbylljen e kapitujve. Për këtë kemi filluar punën sa i përket kushteve për mbylljen e kapitujve. “, u shpreh ajo.

Ajo tha se deri më tani Shqipërisë i janë bërë me dije 101 kushte që duhet të plotësojë për të përmbyllur kapitujt. Synimi, tha ajo, është që për vitin 2026 të mbyllin procesin për 16 kapituj ndërsa vitin që vjen pjesën tjetër.

“Shqipëria mendon sa i përket vetëbesimit të saj dhe vlerësimit pozitiv të Komisionit, se i ka përmbushur 24 kushtet e ndërmjetshme, ndryshe thënë hendeqe kritike ose pika veprimi strategjike. Shqipërisë i janë dhënë kushtet për mbylljet e negociatave për 31 nga 33 kapitujt me BE. Deri tani ka marrë 101 kushte për mbylljen e negociatave pasi ka plotësuar 24 kushtet e ndërmjetme. Ne parashikojmë që brenda 2026, të jemi gati teknikisht me kushtet për 16 deri në 16 kapituj dhe brenda vitit 2027 me kapitujt e mbetur“, shtoi ajo.

© Panorama.al

Te lidhura