KLODIAN RADO
Integrimi europian i Shqipërisë duket se është një proces që i është atribuuar deri tani vetëm dy prej tre pushteteve, atij ligjvënës dhe ekzekutiv. Si në rastin kur procesi ka progresuar, ashtu dhe kur ka qenë në ngërç, lëvdatat dhe “mallkimet” u janë veshur vetëm këtyre dy pushteteve. Por, pyetja qëndron: A ka ndonjë rol që mund dhe duhet të luajë pushteti gjyqësor shqiptar në këtë proces?
Në fakt, kjo pyetje do të tingëllonte e çuditshme, sidomos nëse do të drejtohej në rrafsh europian, sepse pyetja do të shndërrohej: A ka ndonjë rol për të luajtur Gjykata e Drejtësisë e BE-së (si mbajtëse e pushtetit gjyqësor) në integrimin e mëtejshëm të BE-së? Përgjigjja për këtë është: Jo vetëm që ka, por vetë Gjykata e Drejtësisë është e gjithëpranuar si organi më pro-europian dhe, mbi të gjitha, si vetë motori apo zemra e këtij integrimi.
E njëjta gjë po ndodh sot edhe në vendet anëtare të BE-së. Organet me pro-europiane dhe motorët e integrimit janë kthyer gjykatat e këtyre vendeve. Janë gjyqtarët britanikë, francezë, gjermanë, italianë, spanjollë etj., të cilët nën bekimin e Gjykatës së Drejtësisë, nga gjyqtarë kombëtarë janë shndërruar në gjyqtarë europianë që garantojnë të drejtat individuale të gëzuara nga qytetarët e BE-së sipas ligjit europian.
Nën këtë trend të pakthyeshëm “europianizimi” gjyqësorësh, e njëjta gjë kërkohet edhe për vendet kandidate ose të asociuara me BE-në, siç është Shqipëria. Pushteti gjyqësor, pra gjykatat e të gjitha niveleve, janë ato të cilat kanë barrën më të madhe dhe të vërtetë për integrimin e vendit të tyre në BE. Prandaj, nën këtë ratio, gjykatat shqiptare duhet të shndërrohen në motorët apo zemrën e integrimit të Shqipërisë në BE. Madje këtë duhet ta bëjnë një orë e më parë.
Me të drejtë, kushdo mund të pyesë: Si mund ta bëjnë këtë gjykatat shqiptare, kur dy pushtetet e tjera duken në ngërç? Ose: a munden gjykatat shqiptare të marrin mbi shpatulla integrimin europian në kushtet kur besimi publik në to është i ulët, mungon infrastruktura, buxheti i pushtetit gjyqësor vazhdon të mbetet më i ulëti në gjithë Europën duke pluskuar prej kohësh nën 1% të buxhetit të përgjithshëm, apo akoma më keq, kur gjyqtarët shqiptarë ndoshta edhe vetë nuk e njohin ligjin europian?!
Në fakt, të gjitha këto shqetësime janë me vend. Gjyqtari shqiptar, si ushtrues i pushtetit gjyqësor të Shqipërisë, e ka vërtet të vështirë. Por ka një alternativë. Gjyqtari i pushtetit gjyqësor shqiptar ndoshta nuk mund të bëjë shumë për integrimin, por gjyqtari shqiptar, si përfaqësues i pushtetit gjyqësor të BE-së në Shqipëri, sigurisht që mund dhe duhet të bëjë, madje kjo është detyra e tij. Veçanërisht pas Traktatit të Lisbonës, vlen të theksohet se pushteti gjyqësor i BE-së është ndërtuar si një sistem me dy nivele, të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën me një sistem referimi dhe jo apelimi. Më thjesht, ushtrimi i pushtetit gjyqësor në nivel europian (federal) i është besuar Gjykatës së Drejtësisë, ndërsa në nivel shtetëror i është besuar çdo gjykate nacionale. Në këtë mënyrë, gjyqtarët shqiptarë, si gjyqtarë të një shteti të asociuar me BE-në, nuk janë vetëm gjyqtarë të vendit të tyre, por janë njëkohësisht edhe gjyqtarë të BE-së. Atyre u është besuar detyra e shenjtë që të jenë mbrojtësit e të drejtave individuale që rrjedhin nga traktatet e BE-së dhe MSA-së në Republikën e Shqipërisë.
Më konkretisht, nëse në një çështje gjyqësore (e çfarëdo fushe qoftë), gjyqtarët shqiptarë do të hasnin në një mospërputhje midis ligjit shqiptar (të gjithfarësoj rangu), dhe të drejtës së BE-së, sigurisht që ata e kanë për detyrë ta lënë mënjanë ligjin shqiptar dhe të aplikojnë më përparësi të drejtën europiane. Për të qetësuar të merakosurit e sovranitetit, kjo situatë hierarkike ku prevalon e drejta europiane, nuk është risi që buron nga MSA-ja dhe traktatet e BE-së, por është deleguar drejtpërdrejt nga populli në Kushtetutën shqiptare që në 1998-n, kur është pranuar se: “Normat e nxjerra prej një organizate ndërkombëtare (në këtë rast BE-së) kanë epërsi, në rast konflikti, mbi të drejtën e vendit…” (Neni 122/3).
Në këtë mënyrë, gjyqtarët shqiptarë, përpara se të veshin togën e zezë si gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë, duhet të kujtohen të “veshin” togën blu/vishnje (ngjyrat e togave që mbajnë sot gjyqtarët e Gjykatës së Drejtësisë), që buron nga BE-ja. Atyre iu është besuar ky rol, dhe çfarë u është besuar, ata duhet ta kryejnë, sepse e kanë “amanet” kushtetues, europian dhe ligjor të padiskutueshëm. Vetëm në këtë mënyrë, pushteti gjyqësor shqiptar do të merrte vërtet rolin që i takon, atë të motorit të integrimit europian të Shqipërisë. Dhe sot ka pa fund raste kur gjyqtarët shqiptarë duhet të “veshin” togën blu/vishnje të BE-së, duke lënë anash aktet ligjore apo nënligjore shqiptare që bien ndesh me të drejtën europiane. Vlen të përmenden disa raste si ato të: Kodit Doganor që vështirësojnë lëvizjen e lirë të mallrave; akteve ligjore e nënligjore që vendosin taks/tatime anti-BE duke penguar apo diskriminuar mallrat apo kapitalin me origjine BE-në; apo ligjeve të tokës që pengojnë blerjen e saj nga qytetarë europianë nëse nuk investojnë disafishin e vlerës së saj; e mjaft raste të tjera si këto.
Sigurisht që “Europianizimi” i Gjyqësorit dhe gjyqtarëve shqiptarë nuk është një proces i lehtë. Vështirësi në këtë proces kanë hasur edhe vende shumë më të konsoliduara se sa Shqipëria, prandaj në të kërkohet pjesëmarrja aktive e shumë aktorëve. Në radhë të parë, ky operacion fillon me vetë gjyqtarët shqiptarë të të gjitha niveleve. Në ndërgjegjen e secilit prej tyre duhet të ngulitet një herë e përgjithmonë maksima: “Përpara se të jem gjyqtar shqiptar, tashmë duhet të jem gjyqtar i Bashkimit Europian”. Ky nuk është vetëm privilegj, por, mbi të gjitha, është detyrë kushtetuese, europiane dhe ligjore që e përshkon çdo gjyqtar shqiptar, i çfarëdolloj niveli qoftë. Mandej, për të ndihmuar ngritjen e kësaj mendësie europiane te gjyqtarët shqiptarë, nevojitet që të kryhet operacion i thellë dhe urgjent në kurrikulat e Shkollës së Magjistraturës që merret me trajnimin vazhdues dhe fillestar, respektivisht të gjyqtarëve në detyrë dhe gjyqtarëve në krijim. E drejta europiane, përfshirë të gjitha fushat e saj, e shoqëruar nga praktika e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, duhet të shndërrohet në thelbin e procesit edukues të gjyqtareve ekzistentë apo të rinj.
Po ashtu, operacioni i “europianizimit” duhet të rrënjoset në rend zbritës tek të gjitha universitetet shtetërore dhe private me objekt jurisprudencën, ku studimi i së drejtës europiane duhet të kthehet në bërthamën e kurrikulave të tyre. Kjo është tashmë domosdoshmëri, sidomos pas dhjetorit të 2009-s, kur me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, e drejta europiane normon jo vetëm 4 liritë ekonomike të lëvizjes së lirë, por edhe të gjitha të drejtat individuale civile dhe politike, duke përfshirë këtu edhe legjislacionin penal. Shkurt, mbi tavolinën dhe ndërgjegjen juridike të çdo studenti, avokati, prokurori dhe, aq me tepër çdo gjyqtari, tani duhet të ekzistojnë jo vetëm kodet, aktet ligjore dhe nënligjore shqiptare, por, mbi të gjitha, Kushtetuta, traktatet e BE-së, MSA-ja dhe praktika e Gjykatës se Drejtësisë së BE-së.
Aktorë të tjerë, të cilët mund dhe duhet të ndihmojnë procesin e “europianizimit” të Gjyqësorit shqiptar janë edhe dy pushtetet rivale, por dhe bashkëpërgjegjëse me Gjyqësorin, ai ligjvënës dhe ekzekutiv. Këtë ata mund ta bëjnë jo vetëm duke përmirësuar infrastrukturën fizike të gjykatave apo rritjes së buxhetit për pushtetin gjyqësor (të paktën në nivelet e fqinjëve ballkanikë), por edhe duke miratuar akte ligjore, të cilat realisht ndihmojnë procesin e “europianizimit” të Gjyqësorit shqiptar.
Megjithatë, një zë shumë më i fortë në këtë proces pritet dhe duhet të vijë nga institucionet e BE-së, përfshirë këtu edhe Këshillin dypalësh të Stabilizim-Associmit. Vëmendja e këtyre aktorëve duhet të drejtohet për nga pushteti gjyqësor shqiptar, si i vetmi organ i BE-së në nivel lokal, i cili është përgjegjës de facto dhe de jure për aplikimin e MSA-së dhe legjislacionit të zbatueshëm të BE-së në Shqipëri. Duke i konsideruar gjyqtarët shqiptarë si “agjentët” e BE-së në terrenin shqiptar, institucionet europiane duhet të bëjnë më shumë për garantimin e statusit të gjyqtarëve, trajnimin e tyre me të drejtën europiane, si dhe për konsolidimin e pavarësisë, por edhe përgjegjësisë së pushtetit gjyqësor.
Së fundi, por jo për nga rëndësia, “europianizimi” i Gjyqësorit shqiptar dhe kthimi i këtij të fundit në motor të integrimit, nuk është ekskluzivitet vetëm i aktorëve të mësipërm. Përkundrazi, janë vetë qytetarët shqiptarë, media dhe shoqëria civile, të cilët duhet ta ndihmojnë dhe përforcojnë këtë proces. Çdokush duhet të kuptojë se që nga hyrja në fuqi e MSA-së, të drejtat e çdo individi në Shqipëri nuk gardhohen vetëm nga legjislacioni i vendit, por edhe nga ai i BE-së. Po ashtu, kushdo duhet ta marrë vesh se institucionet e BE-së në Shqipëri nuk janë ato të Brukselit, por janë pikërisht gjykatat shqiptare të të gjitha niveleve. Nëse kërkesat për aplikimin e të drejtave që rrjedhin nga legjislacioni i BE-së do të shtroheshin dhe shtoheshin para gjykatave shqiptare, sigurisht që këto të fundit s’do të kishin rrugë tjetër veçse të gjenin dhe të aplikonin të drejtën europiane, duke u kthyer në të shumëpriturit motorë të integrimit. E mirëkuptoj që ky proces ka sfida për të gjithë ne. Megjithatë, le të fillojmë pa humbur kohë, të gjithë të ndihmojmë këtë proces! Ashtu u bëftë!
* Gjyqtar, LLM (Master) në të Drejtën e BE-së, King’s College London











