SHBA, Ballkani kanal ideal për kontrabandën

Jul 26, 2011 | 18:36

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paraqitur të henën një projekt në të cilin paraqitet strategjia që do të ndiqet për të luftuar krimin e organizuar, në veçanti rrjetet e mëdha të krimit që përbëjnë rrezik për sigurinë dhe ekonominë e SHBA-së.

Ballkani është bërë një kanal ideal për kontrabandën mes lindjes dhe perëndimit, si dhe për lindjen dhe zhvillimin e krimit të organizuar, thuhet në dokumentin e prezantuar të henën në SHBA.

“Institucionet e dobëta në Shqipëri, Kosovë, dhe Bosnje Hercegovinë kanë bërë të mundur që grupet kriminale të marrin nën kontroll trafikun e drogës dhe atë njerëzor drejt tregjeve perëndimore”- thekson dokumenti.

Përveç të qënit një burim i drogave sintetike, rajoni tani shërben si një pikë hyrje për kokainën e Amerikës Latine dhe një zonë tranziti për heroinën për përdorim në Kaukaz dhe në Afganistan, thuhet më tej.

Kontrollet e pamjaftueshme të kufirit dhe lehtësimi i marrjes së pasaportave mundëson kalimin tranzit të kriminelëve dhe terroristëve në Evropën Perëndimore, vë në dukje dokumenti.

“Bashkëpunimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, si dhe bashkëpunimin dypalësh me vendet në rajon do të jetë çelësi për eliminimin grupeve të krimit. Rrjetet kriminale ndërkombëtare kanë aleanca me elementë të korruptuar qevritarë, shërbimet sekrete dhe ato të inteligjencës, duke bërë që ata të përdorin ndikimin e fuqinë e këtyre elementëve për zhvillimin e aktivitetit kriminal më me lëhtësi.”- thuhet në dokument.

Strategjia që prezanton dokumenti përcakton 56 veprimet prioritare që synojnë reduktimin e fuqisë ekonomike të grupeve të mëdha ndërkombëtare dhe mbrotjen e sistemit financiar prej tyre.

Dokumenti vë në dukje gjithashtu se krimi i organizuar është një problem global që shfaqet në pjesë të ndryshme të botës në mënyra të ndryshme, ai liston shtatë prioritetet rajonale, duke përfshirë edhe Ballkanin, dhe bën thirrje për bashkëpunim të ngushtë me vendet e tjera.

Presidenti Barak Obama, duke folur për strategjinë, tha se “kjo strategji është organizuar rreth një parimi të vetëm, “unifikimit” Sipas tij, do të integrohen mjetet e pushtetit amerikan për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar.

© Panorama.al

Te lidhura