Incidentet, Policia: Ndërhymë 18 herë gjatë votimit dhe numërimit

May 10, 2011 | 10:21

TIRANE – Policia e Shtetit ka ndërhyrë në qendrat e votimit dhe të numërimit në 18 raste, për vendosjen e rendit dhe për të shmangur incidentet. Efektivat e rendit kanë ndërhyrë me vendim të KQV-ve dhe të KZAZ-ve, duke zgjidhur situatat që pengonin procesin e votimit në 12 raste, ndërsa në 6 raste, në qendrat ku numëroheshin votat gjatë orëve të paradites së djeshme. Gjatë orëve të mëngjesit, KZAZ Nr.28, në Korçë, ka kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë, pasi është krijuar konfuzion dhe vështirësi në VNV, si rezultat i fluksit të madh të personave (komisionerë dhe personave të tjerë). KZAZ Nr.25 në Gjirokastër ka kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë, për shkak të cenimit të rregullit nga personat e pranishëm në ambientet e numërimit të votave. E njëjta situatë ka ndodhur edhe në KZAZ Nr.27 në Përmet. Në Vlorë, në KZAZ Nr.61, një person është konfliktuar me anëtarët e komisionit të numërimit të votave, për këtë arsye është kërkuar me vendim ndërhyrja e forcave të policisë. Në të njëjtin vend, disa orë më vonë, policisë i është kërkuar të futet në vendin e numërimit të votave, pasi po cenohej procesi. I njëjti vendim është marrë nga KZAZ Nr.11 në Krujë, për largimin nga ana e policisë të personave të pranishëm në vendin e numërimit të votave. Gjatë ditës së votimeve, policia ka ndërhyrë në 12 raste në qendrat e votimit, me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit. Rasti i parë i ndërhyrjes së policisë ka qenë në fshatin Seman i Ri, të komunës Topojë në Fier, kur dy persona kanë fyer dhe kanë goditur anëtarët e komisionit të kësaj qendre.

Sqarimi për Viktor Agollin

Viktor Agolli, i akuzuar nga policia për një incident të ndodhur në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë gjatë ditës së votimeve, ka sqaruar dje për gazetën “Panorama” se nuk është shpallur në asnjë moment në kërkim nga policia. Ai ka pohuar se ngjarja e ndodhur me të afërmit e një komisionari është zgjidhur dhe se vetë Agolli është paraqitur pranë organeve ligjore, duke realizuar të gjitha procedura e nevojshme për hetimin e ngjarjes.

© Panorama.al

Te lidhura