Incidentet në Veri, “KFOR u vetëmbrojt”

Jun 5, 2012 | 13:22

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, ka komentuar incidentin në Veri të Kosovës, ku u plagosën dy ushtarë të KFOR-it dhe tre serbë, duke vlerësuar se KFOR ka reaguar për vetëmbrojtje. Ai i ka lavdëruar ushtarët e KFOR-it dhe mënyrën se si e kanë zhvilluar operacionin e heqjes së barrikadave në javën e kaluar në veri të Kosovës, gjatë një konference për shtyp në Bruksel. Rasmusen ka siguruar se KFOR-i do të zbatojë mandatin për të ofruar liri të lëvizjes për të gjithë. Incidenti ku u plagosën dy ushtarë të KFOR-it dhe tre serbë, ndodhi gjatë mëngjesit të së premtes, gjatë aksionit të paqeruajtësve për heqjen e barrikadave në Rudarë. Serbët e veriut e kundërshtuan këtë aksion, madje kanë qëlluar në drejtim të ndërkombëtarëve me armë zjarri. Për heqjen e barrikadës në Rudarë, trupat e KFOR-it janë detyruar të përdorin gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës,  për të shpërndarë serbët e zonës, të mbledhur e organizuar nga strukturat paralele. Pas rritjes së tensioneve, KFOR-i ka përfshirë në aksion edhe helikopterët. Heqja e barrikadave u krye me sukses.

© Panorama.al

Te lidhura