Ina Rama humb gjyqin e 6-të

Jun 29, 2012 | 13:51
Ina Rama

Ish-prokurori i Durrësit, Drini Pali, fiton betejën ligjore me prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Ai është i gjashti prokuror që fiton gjyqin me organin e akuzës dhe me vendim gjykate “kthehet në detyrë”. Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë dje ish-prokurorit të Durrësit, duke e cilësuar shkarkimin e tij të padrejtë. Vendimi është dhënë ditën e djeshme në Gjykatën e Lartë në Tiranë. Pak muaj më parë, Drini Pali, ish-prokuror në Durrës, dhe zv.drejtues i organit të akuzës në këtë qytet, bëri padi në Gjykatën e Lartë kundër shkarkimit nga detyra. Në padinë e tij, ish-prokurori Drini Pali kërkonte “shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr.6573, datë 20 maj 2010, si dhe kthimin në detyrën e prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Durrës dhe pagimin e pagës deri në ekzekutimin e vendimit të gjykatës”. Gjykata e Lartë, pasi ka dëgjuar palët, Prokurorinë e Përgjithshme për motivet e rrethanat e shkarkimit, por edhe paditësin Drini Pali, ka vendosur t’i japë të drejtë këtij të fundit. Gjykata e ka shfuqizuar dekretin e Presidentit të Republikës për shkarkimin e prokurorit të Durrësit dhe ka urdhëruar kthimin e tij në detyrën ku ka qenë. Dekreti i kreut të shtetit ndërkohë ishte dhënë me propozim të prokurores së Përgjithshme Ina Rama. Kjo e fundit kërkoi shkarkimin e prokurorit të Durrësit në maj 2010, pas një inspektimi të kryer në Prokurorinë e Durrësit. Nga inspektimi, Prokuroria e Përgjithshme pretendoi se u gjetën shkelje të mjaftueshme për shkarkimin e prokurorit të Durrësit. Rasti i prokurorit të Durrësit Drini Pali është i fundit në serinë e disa vendimeve të gjykatave të cilat kanë hedhur poshtë vendimmarrjen e Prokurorisë. Pak ditë më parë, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u përball me pyetjet e deputetëve për tre prokurorë të shkarkuar nga detyra, të cilët kanë fituar të drejtën e kthimit në punë me vendim gjykate. Prokurorët Tom Deda, Rita Gjati dhe Bardhyl Shehu u shkarkuan nga detyrat e tyre në vitin 2008-2009, me propozim të prokurores së Përgjithshme dhe dekret të Presidentit të Republikës. Menjëherë ata iu drejtuan gjykatave, duke fituar të drejtën e kthimit në punën e mëparshme, por prej më se një viti e gjysmë, Prokuroria nuk e ka zbatuar asnjërin nga vendimet e formës së prerë të dhënë nga gjykatat. Veç katër prokurorëve të shkarkuar në vitin 2010, edhe dy prokurorë të tjerë kanë fituar gjyqet me organin e akuzës.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura