Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është i bindur që Edi Rama nuk i heq imunitetin Belinda Ballukut, përkundrazi, ai tha se po bllokon drejtësinë.
Në konferencë me gazetarët, kryedemokrati theksoi se do të jenë shqiptarët që me qëndrimin e tyre kundër kësaj qeverie do ti heqin imunitetin edhe Ballukut edhe Ramës.
“Rama nuk i heq imunitetin Lubisë, kjo është e qartë. Imunitetin asaj dhe Ramës do ja heqin shqiptarët. Ju garantoj se do ta realizojnë. Zemërimi po vlon në zemrat e shqiptarëve, temperaturat po rriten me shpejtësi. Asgjë nuk mund ti shpëtojë popullit të zemëruar. Zemërimi po shkon deri në palcë”, tha Sali Berisha.
I pyetur se çfarë strategjie do të ndjekë opozita në protestën e 10 shkurtit, Berisha u përgjigj: “Strategjia është deri në rrëzimin e Edi Ramës”.
Më tej ai theksoi se Qeveria nuk ka legjitimiteti, pasi zgjedhjet i ka shndërruar në farsë dhe ka bllokuar drejtesine.
“Jemi mirënjohës ndaj qytetarëve. Që një qytetar të zemërohet ndaj pushtetit të vendit të tij, duhet të këtë motive të forta. Qytetarët kanë kuptuar se kanë motivet më të fuqishme që mund të ekzistojnë. Qeveria nuk ka legjitimiteti, ka shndërruar zgjedhjet në farsë. Motivi i dytë, qeveria ka vjedhur miliarda euro dhe bllokon drejtësinë. Këto dy faktorë deligjitimojnë çdo pushtet dhe shqiptarët janë të vendosur që të ndahen me cdo çmimi me një pushtet të paligjshëm si ky që është sot”, mbylli konferencën kreu i PD-së.
© Panorama.al












