
Prokuroria e Përgjithshme është duke përgatitur një raport për ndryshime të nevojshme në Kodin e Procedurës Penale. Javën e kaluar, prokurorëve në kryeqytet dhe në gjithë vendin u është kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme të japin mendimet e tyre në lidhje me ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale. Sipas burimeve nga organi i akuzës mësohet se prokurorëve u është kërkuar që brenda një afati prej pak ditësh të paraqesin mendimet e tyre me shkrim në lidhje me ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal (që parashikon dënimet për veprat penale) dhe Kodin e Procedurës Penale, që parashikon procedurat e hetimit dhe gjykimit të veprave penale. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se është zgjedhur kjo procedurë për marrjen e mendimeve, me qëllim që t’u jepet mundësi dhe pjesëmarrje të gjithë prokurorëve, pasi janë ata që përballen çdo ditë me rastet konkrete dhe problematikat e çështjeve penale. Prej më se dy vitesh Prokuroria me deklarata në media, në forume apo konferenca ka kërkuar kufizimin e imunitetit të zyrtarëve, kryesisht politikanëve dhe gjyqtarëve, duke konsideruar se përmbajtja aktuale e kodeve dhe e Kushtetutës, e bën hetimin ndaj tyre të pamundur. Mësohet se çështja e imunitetit dhe marrëdhëniet me Policinë janë dy pikat kryesore ku kërkohet përmirësim në mendimet e hedhura në letër nga prokurorët deri tani. Mendimet e mbledhura mësohet se do të sintetizohen për t’u paraqitur më pas në rrugë zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Parlamentit.
Ndryshimet në Kod
Mesazhi për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale është dhënë me kohë nga Prokuroria e Përgjithshme, por jo vetëm. Njësia Task- Force Antikorrupsion në mënyrë të përsëritur ka pasur vështirësi në hetimin e zyrtarëve të lartë, përfshi parlamentarët dhe gjyqtarët, ku në çdo rast duhet të merret autorizim para mbledhjes së provave. Kohët e fundit, në një takim të organizuar në kuadër të projektit PACA në Tiranë, kryeprokurorja Ina Rama ka deklaruar se Prokuroria Shqiptare është një nga institucionet që në mënyrë të vazhdueshme tri-katër vitet e fundit ka paraqitur në takime zyrtare, seminare, apo tryeza të ndryshme diskutimesh, nevojën e ndryshimeve ligjore në lidhje me të drejtën e disa zyrtarëve të lartë dhe gjyqtareve për të pasur mbrojte të veçantë nga ndjekja penale. Sipas Ina Ramës, kjo mbrojtje shkon praktikisht deri në pamundësi për organet e hetimit për të mbledhur prova në ngarkim të zyrtarëve që gëzojnë imunitet nga ndjekja penale. Ina Rama është shprehur se ky imunitet është pengesë serioze për hetime proaktive në rastet kur dyshohet se një zyrtar i lartë, apo gjyqtar i të gjitha niveleve është përfshirë në një aferë korruptive. “Prokuroria Shqiptare në këto vite, pavarësisht nga vështirësitë, ka ushtruar ndjekjen penale dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit për katër deputetë dhe ministra në Kuvendin e Shqipërisë dhe për 6 gjyqtarë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, ka thënë Ina Rama.
Trazhgim Sokolaj











