Ilir Meta ofron 50 mijë euro garanci për të lënë qelinë, GJKKO merr vendim për ish Presidentin

Mar 24, 2026 | 12:13

Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka ofruar 50 mijë euro garanci për të lënë qelinë, por kjo është rrëzuar nga GJKKO.

ilir meta gjkko

Në një prononcim për mediat, avokati i tij, Kujtim Cakrani  deklaroi se nuk ka më arsye pse Ilir Meta të qëndrojë ende në bodrumet e 313.

“I vendosëm në dispozicionin shumë e caktuar, deri në 50 mln lekë dhe gjykata nuk arriti të ngrihej në lartësinë. Eci mirë seanca, por në momentin e fundit ndryshoi gjithçka. Ne do vazhdojmë betejën tonë, do bëjmë kërkesën edhe kur çështja të kalojë në themel. Jemi në rrugën tonë për të zëvendësuar masën ndaj presidentit. Aty ishim për arsyet pse duhet të qëndrojë presidenti në bodrumet e 313. Unë ja kërkova gjyqtarit, i thashë sot t’ia bëjmë dhuratë presidentit, nuk ka mundësi për prishje prove apo intimi im dhe ia kërkova që ti bënim një dhuratë. Por lufta jonë nuk mbaron këto”, tha avokati.

Kujtojmë që kreu i Partia e Lirisë, Ilir Meta, depozitoi një kërkesë të re në GJKKO, ku kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë.

Kërkesa u bë vetëm një ditë pasi gjykata vendosi kalimin për gjykim të dosjes penale ndaj Metës dhe disa personave të tjerë, përfshirë Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.

Procesi ndaj tij lidhet me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa çështja tashmë ka hyrë në fazën e gjykimit në themel.

Njoftimi i GJKKO:

Kërkuesi Ilir Metaj me datë 19.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:

“Kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë tjetër: Arresti në shtëpi, garancia pasurore, detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore ose ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Paulin Çera, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 249 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 242, datë 24.03.2026, vendosi:

1. Rrëzimin e kërkesës penale Nr. Regj. Them 242, datë 19.03.2026, me kërkues të pandehurin Ilir Metaj, me objekt zëvendësim mase sigurimi, si të pabazuar në ligj dhe në prova.

2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Screenshot 2026-03-24 141517

© Panorama.al

Te lidhura